Qytetarët e Rusisë që jetojnë në Serbi dhe në Mal të Zi do të votojnë në zgjedhjet presidenciale ruse të dielën në ditën e fundit të tyre.
Ata kanë mundësi të votojnë për njërin prej katër kandidatëve në fletëvotim, ndër ta edhe presidentin e tanishëm Vladimir Putin, i cili fitoren e ka pothuajse e sigurt, meqë kundërshtarët e tij janë në burgje, në mërgim apo të vdekur.
Zgjedhjet në Rusi kontrollohen fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.
Qytetarët rusë në Serbi do të votojnë në shkollën e Ambasadës ruse në Beograd.
Organizata joqeveritare Shoqëria Demokratike Ruse, e udhëhequr nga qytetarë rusë në Serbi, njoftoi se do t'i bashkohet aksionit global "Mesdita kundër Putinit", për ta nderuar amanetin e fundit të Alexei Navalny, kritikut më të zëshëm të Kremlinit, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg të izoluar të Arktikut nën rrethana të dyshimta.
“Qytetarët e Rusisë që kundërshtojnë diktaturën e Vladimir Putinit dhe synojnë të votojnë kundër tij do të dalin në qendrat e votimit në mesditë të 17 marsit për të demonstruar publikisht numrin e tyre, pavarësisht falsifikimit dhe propagandës zgjedhore”, tha Shoqëria Demokratike Ruse.
Në Mal të Zi, votimi për zgjedhjet presidenciale ruse u organizua në ndërtesën e Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.
Qendra e votimit do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në 20:00 të dielën.
“Për të votuar duhet ta vizitoni personalisht qendrën e votimit dhe të tregoni një pasaportë të vlefshme”, tha Ambasada ruse në uebsajtin e vet.
Ambasada deklaroi në rrjetin Telegram se masat e sigurisë dhe kontrollit do të forcohen ditën e votimit për të mbrojtur sigurinë e votuesve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor.
Në faqen e internetit dhe rrjetet sociale të Ambasadës nuk ka asnjë të dhënë për numrin e qytetarëve rusë që kanë të drejtë vote në Podgoricë.
Rreth 27.000 rusë banojnë zyrtarisht në Mal të Zi.
Në fund të janarit, aktivistë rusë në Mal të Zi organizuan mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën e politikanit opozitar rus, Boris Nadezhdin, për zgjedhjet presidenciale.
Megjithatë, Nadezhdin - një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës - nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.
Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë./ REL