Pas një sërë pyetjesh publike drejtuar kryeministri Edi Rama, dy ditë më par,ë lidhur më këtë kontratë, sërish ish-zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, kërkon përgjigje për këtë çështje.
Në deklaratën e sotme për mediat, ish-zëvendës ministri i Financave, thotë se “qeveria Rama-Meta fsheh publikimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, të marrë në mbledhjen e qeverisë së datës 28 tetor”.
“Faqja e Këshillit të Ministrave tregon se çfarë vendimesh kanë marrë në mbledhjen e datës 28 tetor. Janë dy lajme shumë të rëndësishme; e para që z. Basir Çollaku është liruar nga detyra dhe e dyta, Ministrisë së Turizmit i janë shtuar një sërë fondesh. Mungon një lajm, siç duket më pak i rëndësishëm, ai që ka dhënë në menaxhim qeveria shqiptare rreth 130 mld lek, pra 1.3 mld dollarë. Sot kemi të tjera pyetje për z. Rama. Pse e fshihni publikimin e kësaj kontrate? Kur do ja bëni transparente publikut shqiptar, kontratën që keni lidhur? Jemi në pritje të përgjigjes z. Kryeministër”, u shpreh Rushaj.
Ish-zëvendës ministri i Financave ngre edhe një sërë pyetjesh drejtuar kreut të qeverisë, ndërsa shton se ende nuk është dhënë një përgjigje për to.
“Pyetjet që nuk kanë marrë ende përgjigje:
1. Si është e mundur që ju e keni ditur që përpara se të merrnit postin e kryeministrit, që do të bënit kontratën për një shërbim të tillë pikërisht me “Crown Agents”?
2. A ju është komunikuar nga zyrtarë të Bashkimit Europian se “Crown Agents” nuk ka përvojën e duhur në krahasim me projektet e BE-së që asistojnë prej kohësh falas doganat shqiptare?
3. A ju është komunikuar nga zyrtarë të Bashkimit Europian se konsulenti “Crown Agents” është me kosto të lartë?
4. A ka praktikë ndonjë vend i Bashkimit Europian me “Crown Agents” për një shërbim të ngjashëm dhe nëse po, a është vlerësuar negativisht performanca në këtë fushë?
5. A është kontrata me “Crown Agents”, arsyeja e vërtetë e nxjerrjes së aktit normativ ku zvogëluat të ardhurat nga doganat dhe rritët borxhin publik?
6. A do të përfitojë “Crown Agents” nga paratë e shqiptarëve nëse të ardhurat doganore realizohen në nivelin që administrata doganore kishte parashikuar të realizonte vetë?
7. A e ka përjashtuar Banka Botërore, “Crown Agents” së bashku me të gjitha filialet e saj nga pjesëmarrja për 6 muaj në çdo projekt të Bankës Botërore për shkak se është vërtetuar se ka ndërmarrë praktika mashtruese?"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)