MOSKË - Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të çlirimit të kampit të përqëndrimit të Aushvicit, që do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Poloni, njoftoi sot Kremlini.Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit Putin, deklaroi për agjencinë ruse të lajmeve, Interfax se ky i fundit nuk kishte marrë ftesë për ceremoninë e 27 janarit.
"Megjithatë, ftesat zyrtare zakonisht nuk përdoren për të tilla raste", theksoi Peskov.Në ndërkohë, Muzeu Shtetëror i Aushvic-Birkenaut, që organizon ceremoninë, tha se pret një numër të madh liderësh, përfshirë presidentët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë."Rusia do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Varshavë", tha zëdhënësi i muzeut, Pawel Sawicki.Ky kamp, simbol i Holokaustit, ku vdiqën më shumë se një milion hebrenj, u çlirua nga ushtarët sovjetikë në vitin 1945.
Zyrtarë dhe media polake thanë se do të ishte e papërshtatshme që Putini të përshëndeste Ushtrinë e Kuqe në Aushvic, në një kohë që Rusia po shkelte sovranitetin e Ukrainës fqinje, çka Moska e mohon./ATSH/