MOSKË, 8 maj /ATSH-AFP/ - Presidentët Vladimir Putin dhe Xi Jinping, vendet e të cilëve janë përballur me humbje të mëdha njerëzore gjatë Luftës së Dytë Botërore, treguan sot miqësinë e tyre një ditë para festimeve në Moskë për 70-vjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste të Hitlerit.
"Në këtë luftë, vendet tona kanë pësuar humbje të mëdha. Është ky shkaku pse ne jemi kundër çdo përpjekjeje të falsifikimit të historisë dhe (...) rehabilitimit të fashizmit dhe militarizimit", deklaroi presidenti rus, në përfundim të një takimi me homologun kinez.
"Popujt tanë do ta kujtojnë gjithmonë Historinë (...) dhe do të shprehen kundër falsifikimit të saj", shtoi Xi Jinping, mbërritur sot në mëngjes në Moskë para një parade ushtarake të paparë që do të zhvillohet nesë në Sheshin e Kuq.
Drejtuesi kinez përshëndeti miqësinë e fortë mes dy vendeve, lindur në betejat e Luftës së Dytë Botërore ndërkohë që Rusia luftonte kundër gjermanëve dhe Kina përballej me agresionin japonez.
Ish-Bashkimi Sovjetik, trashëgimtare e të cilit është Rusia ka humbur të paktën 25 milionë persona dhe Kina më shumë se 20 milionë sipas studiuesve kinezë.
"Moska dhe Kina shënojnë këtë përvjetor jo për të urryer shtetet e tjera, por për të bërë homazhe për heronjtë e vrarë, për të përjetësuar kujtimin e tyre në histori, që tragjedia e luftës të mos përsëritet më", nënvizoi Xi Jinping./
/ec/