Dëbimi i diplomatit rus nga Shqipëria më 21 janar për mosrespektimin e masave antiCOVID, ka bërë që Rusia të kundërpërgjigjet duke shpallur si " persona Non- grata" sekretaren e ambasadës shqiptare në Rusi, Jonida Drogun.

Rusia ka dëbuar diplomaten shqiptar në një lëvizje ‘tit-for-tat’, term i cili përdoret në diplomaci për të nënkuptuar reagimin e njërës palë nga veprimi i palës tjetër, tha Ministria e Jashtme ruse. Ministria e Jashtme ruse tha se diplomates shqiptare i është dhënë një afat prej 72 orësh për t'u larguar nga vendi. Vendimi është bërë i ditur pas takimit të mbajtur gjatë ditës së sotme në Ministrinë e Jashtme ruse me ambasadorin shqiptar Arben Gazioni.

Marrëdhëniet diplomatike mes Rusisë dhe Shqipërisë u tensionuan dukshëm pas dëbimit të diplomatit rus në 21 janar për shkelje të rregullave anti-COVID, vendim që u konsiderua si justifikim nga pala ruse.   Moska kishte deklaruar më parë se do t'i përgjigjej "lëvizjes jo-miqësore", të cilën e sheh si një provokim që synon të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve. Para dëbimit të 21 Janarit, edhe në vitin 2018 Shqipëria kishte dëbuar dy diplomatë rusë. Në atë kohë ishte thënë se aktivitetet e tyre nuk ishin në përputhje me statusin e tyre diplomatik.

Tirana dhe Moska rivendosën raportet diplomatike më 1991, 30 vjet pasi regjimi komunist i Shqipërisë kishte prishur lidhjet e ngushta që kishte me Rusinë.