Ajo që po ndodh këto orë mes Ukrainës dhe Rusisë është një miks i luftimeve intensive, krizës energjetike dhe përpjekjeve diplomatike për paqe mes dy vendeve.

Në planin ushtarak, sulmet me dronë janë përshkallëzuar nga të dyja palët.

Autoritetet ruse raportojnë se dy civilë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulme ukrainase në qytetin e Rostov-on-Don dhe në rajonin kufitar të Belgorod. Në Rostov, një ndërtesë banimi u përfshi nga flakët, ndërsa mbetjet e dronëve shkaktuan dëme edhe në zona industriale. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi neutralizimin e  48 dronëve ukrainas në disa rajone, përfshirë Rostovin, Stavropolin, Krimenë dhe Bryanskun.

Ukraina nga ana tjetër, po përballet me sulme të vazhdueshme ruse. Infrastruktura energjetike është një nga objektivat kryesore: në Kryvyi Rih rreth 45 mijë persona mbetën pa energji elektrike dhe ngrohje.

Kievi pa drita më 13 Janar 

Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se prioriteti kryesor i Kievit mbetet forcimi i mbrojtjes ajrore, veçanërisht furnizimi me raketa për sistemet ekzistuese, duke kërkuar më shumë mbështetje nga partnerët perëndimorë. Sipas tij, aftësia për të neutralizuar sulmet ajrore do t’i hiqte Rusisë një nga avantazhet kryesore në këtë fazë të luftës.

Zelensky parashikon sulme të reja masive nga Rusia. Në një video-mesazh ai iu referua informacioneve të shërbimeve sekrete dhe i kërkoi popullsisë ukrainase që t'i marrë seriozisht paralajmërimet.

“Ukraina ishte sërish objekt i bombardimeve nga Rusia prej të cilave ka pasur të vrarë dhe shumë të plagosur në disa rajone”, tha ai teksa gjatë këtyre sulmeve  po përdoren edhe dronë ushtarakë dhe raketa me rreze të mesme veprimi, të afta për të transportuar armë bërthamore.

Paralelisht me luftën, diplomacia është në lëvizje. 

Steve Witkoff dhe Jared Kushner

Sipas Bloomberg, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të dërguarit e presidentit Donald Trump, pritet të shkojnë në Moskë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të diskutimeve mbi negociatat për paqe. 

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov reagoi duke thënë se Moska është e hapur për bisedimet e paqes në Ukrainë, por nënvizoi se "çdo bisedë për armëpushim para një bisede për paqen është thjesht jo serioze"

I pyetur për një takim të mundshëm me dhëndrrin e Donald Trump, Lavrov shpjegoi se Putini ka pranuar se është i hapur për bisedime serioze mbi paqen në Ukrainë.  Duke iu referuar takimeve të mëhershme mes Putinit dhe përfaqësuesve amerikanë, Lavrov tha se "ato kanë qenë gjithmonë serioze me synimin e eliminimit të shkaqeve bazë të krizës në Ukrainë." Sipas Lavrovit, Moska është e hapur të bisedojë me Witkoffin dhe Kushnerin. 

Lavrov kundërshtoi deklaratat e Emmanuel Macronit për një kontakt të drejtpërdrejtë me Putinin, duke i cilësuar përpjekjet e liderit francez si "diplomaci megafoni" që nuk sjell asgjë të mirë. 

Ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko

Ndërkohë, brenda Ukrainës po shtohet edhe presioni politik. Ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko ka bërë të ditur se zyrat e partisë së saj janë bastisur nga autoritetet në kuadër të një hetimi të gjerë mbi korrupsionin politik. Tymoshenko, figurë qendrore e Revolucionit të Portokalltë të vitit 2004 dhe rivale e presidentit Volodymyr Zelensky në zgjedhjet e vitit 2019, ka deklaruar se kontrolli vjen pas nisjes së një serie hetimesh që kanë tronditur skenën politike në Kiev, gati katër vjet pas pushtimit rus.