"Të jemi seriozë! NATO nuk mund të jetë një aleancë në letër. Ajo ose ekziston ose nuk ekziston." Kështu tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me deklaratat e Donald Trump pas mbërritjes së tij në takimin e ministrave të BE-së për zhvillim dhe bashkëpunim.
Deklarata e tij erdhi pas komenteve të ish-Presidentin Donald Trump se nuk do të mbronte aleatët e NATO-s që nuk po kontribuojnë mjaftueshëm financiarisht në aleancë, në rast se do të sulmoheshin nga Rusia.
"Në këto kohë, një aleancë ushtarake nuk mund të funksionojë bazuar në disponimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara," tha Borrell. “Më lejoni të jem sarkastik: gjatë fushatës zgjedhore do të dëgjojmë shumë gjëra, por nuk kam ndërmend të komentoj të gjitha marrëzitë që do të thuhen”.
Edhe Presidenti Joe Biden i ka cilësuar deklaratat e Donald Trump për NATO-n si “të frikshme dhe të rrezikshme”. “Pranimi i Trump se ai dëshiron t'i japë Putinit dritën jeshile për luftë dhe dhunë të mëtejshme, për të vazhduar sulmin e tij brutal ndaj Ukrainës së lirë dhe për të shtrirë agresionin e tij ndaj popullit të Polonisë dhe shteteve baltike është i tmerrshëm dhe i rrezikshëm" tha ai.
Në një reagim Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë komentet e bëra prej ish-presidentit amerikan, madje i ka quajtur të tmerrshme.
Edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg përmes një deklarate të dielën tha se "Çdo sugjerim, se aleatët e NATO-s nuk do të mbronin njëri- tjetrin minon sigurinë e të gjithë aleancës dhe vë në rrezik ushtarët amerikanë dhe europianë".