Ilirjan Rusmali, përfaqësues i Presidencës, duke diskutuar për vendimin e qeverisë për shkarkimin e Veliajt dhe dekretin për zgjedhjet që pasoi më pas, tha se Gjykata Kushtetuese duhet që të kishte ndërhyrë në kohë për të shmangur paqartësitë e mundshme dhe “të ndihmonte të gjithë palët për ta zgjidhur menjëherë”.
Ai tha se Gjykata Kushtetuese i rrëmbeu kompetencën presidencës duke pezulluar dekretin për zgjedhjet në Tiranë, në vend që të merrej me ankimimin e shkarkimit nga detyra të Veliajt. Sipas tij, nëse gjykata do të ishte shprehur për këtë ankimin, atëherë i takonte presidentit që brenda ditës të pezullonte dekretin si kompetencë e tij.
“Me këtë përmbajtje, presidenti do të shkelte edhe kushtetutën e ligjit nëse do e pezullonte. Presidenti nuk përfshihet në thelbin e çështjeve, nuk bëhet aktor dhe nuk merr vendime si organet e tjera. Sidomos kur rastet kanë lidhje me politikën dhe zgjedhjet, rri larg procesit, prandaj nuk mund të ndërmarrë veprime që cenojnë pozitën e vet kushtetuese. Është e vërtetë se presidenca ka diskutuar gjatë për këtë çështje sikurse ka pritur edhe sinjal nga Gjykata Kushtetuese dhe e kemi diskutuar shumë opsionin që t’i adresoheshim GJK por kemi parë pengesën e fortë ligjore për t’u adresuar. Nuk është rasti i parë, kemi parë të tjera që kemi dashur të angazhohemi në dialog me Gjykatën Kushtetuese, dhe jemi frenuar për faktin se gjykata ka ligj të rreptë dhe as opinionit puiblik nuk i bënte punë një shkresë nga Sekretari i Përgjithshëm. Po them as nga kryetarja e gjykatës nuk i bënte punë. Kryetarja ka shprehur vullnetin e saj por nuk ka kompetencën që të tërheqë opinionin e anëtarëve dhe t’i kumtojë ato. Pritëm në maksimumin e kohës së mundshme që gjykata, nga vetja, kishte një ankesë të dhënë përpara, por të ndante shapin nga sheqeri dhe të ndihmonte të gjithë palët për të zgjidhur menjëherë dhe ligjërisht këtë gjë.", theksoi Rusmali.
Sipas tij, edhe Veliaj nuk mund të atakonte dekretin e presidentit për sa kohë nuk ka interes zgjedhor. Ai ka të drejtën që të bëjë ankimimin në gjykatë për shkarkimin nga detyra por jo dekretin.
"Dekreti dhe vendimi për shkarkimin nuk kanë lidhje. Prandaj thashë se subjekti nuk atakon dot dekretin sepse duhet të ketë interes zgjedhor,. Ka të drejtë të atakojë aktin e shkarkimit, por jo dekretin. Është proces pasues, por jo i lidhur. Shkarkimi mbyllet me vendimin e Këshillit të Ministrave. Nuk keni vendosur të merrni nën kompetencë një akt që se merrni dot, ndaj nuk pezullohet. Por ne kemi thënë se mekanizmi ligjor që ju bënte punë ju ishte në këmbë. Thjesht nuk duhet ta injoronit. Nëse pezullonit aktin që keni detyrë të pezulloni, presidenti është i detyruar të ndërpresë veprimin. Duke shkuar jo në rrugën ligjore korrekte, por duke kapur veshin nga pas kokës, keni zhveshur presidentin nga një kompetencë që mund ta ushtronte vetë. Nëse pezullohej vendimi i shkarkimit, presidentit i takonte të ndërhynte dhe të pezullonte efektet e dekretit. Ose nëpërmjet shfuqizimit, por presidenti e kishte mekanizmin ligjor dhe duhet të vepronte nëse merrnit vendimin që iu takonte sipas kompetencës. “, tha ai.
Lajmi kryesor:
Shkarkimi/ Veliaj në Kushtetuese: U rrëmbeva pa akuzë, vota më e fortë se kulisat politike! 7 orë seancë, Qeveria e Presidenca: Ankimi s’është kompetencë e juaja












