S'ka incidente, Partizani fiton me përmbysje përballë Vllaznisë
Nuk ka incidente, por gola, spektakël dhe një fund një përmbysje emocionuese nga Partizani përballë Vllaznisë me rezultatin 2-1.Pas kësaj ndeshje Partizani është vetëm 4 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Kukësi.
Nuk ka incidente, por gola, spektakël dhe një fund një përmbysje emocionuese nga Partizani përballë Vllaznisë me rezultatin 2-1.
Partizani e nisi keq ndeshjen, pasi pësoi gol në pjesën e parë me Bakajn duke e mbyllur në disavantzh.
Vllaznia kaloi në avantazh ne minutën e 34, pas një topi të gjatë të Vrapit, Tafili e uli bukur me kokë për Bakajn, që gjuajti fuqishëm drejt portës dhe e ndali në rrjetë, falë edhe devijimit të Malotës.
Por pjesa e dytë foli për të kuqtë që tentuan dhe arritën përmbysjen e madhe.
Fillimisht ishte Bardhi, që me një gjuajtje pa shumë pretendime në zonën e shkodranëve në të 64’ shënoi falë edhe devijimit të topit nga mbrojtësit miq.
Ndërsa dy minuta nga fundi Ekuban fitoi një penallti, e cila u kthye në gol nga Batha duke i dhënë tre pikët Partizanit dhe larguar fantazmat e krizës pas humbjes në Gjirokastër.
Pas kësaj ndeshje Partizani është vetëm 4 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Kukësi.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ kishte mjaft pritshmëri, pasi Partizani rikthehej pas disa muajsh që të luante në Tiranë, ndërsa tifozët bardheblu ishin kundër faktit që të luanin në fushën e konsideruar të tyre.
Por në fund policia garantoi mbarëvajtjen e ndeshjen me mbi 300 forca në terren duke shmangur incidentet e mundshme që ishin paralajmëruar nga tifozët e Tiranës.