S'ka konsensus për reformën
zgjedhore, PD: PS po e bllokon

S'ka konsensus për reformën<br />zgjedhore, PD: PS po e bllokon
Duket larg kompromisi për reformën zgjedhore. PD e PS nuk kanë arritur të bien dakord për caktimin e grupit të ekspertëve që do të shqyrtonte rekomandimet e ODIHR për teknologjinë në votim , duke bërë që mbjedhja e parë e komisionit për Reformën Zgjedhore të dështojë.

Përfaqësuesit e PS në komision nuk firmosën projektvendim që autorizon ekspertët e komsionit për të vijuar punën lidhur me teknologjinë e votimit dhe  përdorimi i sistemit elektronik të identifikimit.

PD: DUAN TA BLLOKOJNE DUKE PERDORUR ODIHR
“ U kërkua autorizimi nga komisioni që grupi i ekspertëve të mandatotet të reflektojë rekomandimet e ODIHR lidhur me teknologjinë e votimit dhe  përdorimi i sistemit elektronik të identifikimit, por bashkëkryetari i PS-së refuzoi dhe braktisi mbledhjen që të mos i japë mundësi komisionit të mandatojë grupin e ekspertëve."- sqaroi përfaqësuesi ligjor i PD-se Oert Bylykbashi pas mbledhjes. Ai e quajti qëndrimin e PS-së  “të papranueshëm, hipokrizi e radhës dhe tentativë e re për të bllokuar reformën”.

“Kësaj here u përdor si justifikim ODIHR. Ashtu si Gjiknuri të gjithë e dimë se ODIHR ka qenë shumë i qartë në rekomandimet e tij. Sot PS tentoi, duke përdorur ODIHR, të bëjë bllokimin, të djegë këtë afat tre javor, sepse kjo i intereson. Askush nuk mund të shkojë përtej ODIHR, pavarësisht tekave apo qëllimeve politike nuk mund të shkojmë kundër rekomandimeve të OSBE/ODIHR” nënvizoi më tej Oert Bylykbashi.

PS: NUK PO E BLLOKOJME
Nga ana tjetër përfaqësuesi ligjor i PS-së, Bledar Çuçi, u shpreh se opozita nuk ka për qëllim bllokimin e punës por kishte kërkuar t'i vihen në dispozicion komentet në lidhje me kapitullin e numërimit elektronik, komente të cilat nuk kishin mbërritur në komision as nga përfaqësuesit e OSBE-së.

“Kërkova komentet ODIHR për kapitullin e numërimit elektronik të cilat nuk kanë ardhur ende. Keto janë cështje që komisioni i ka miratuar një herë me konsensus”.

Çuçi nënvizoi se PS nuk ka për qëllim të bllokojë reformën. "Të mërkurën, unë si ekspert do paraqes një projekt të këtyre amandamendeve”. Komisioni nuk diskutoi lidhur me kompozimin e KQZ-së dhe procesin e animimit.

DJE U ZGJAT MANDATI I KOMISIONIT
Komisioni i Reformës Zgjedhore nisi punën sot paradite në kryesinë e Kuvenit, pas vendimit të djeshëm të  Parlamentit për të shtyrë me tre javë punën e komisionit të reformës zgjedhore. Me 117 vota pro dhe një abstenim Kuvendi votoi për shtyrjen e afatit të punës së këtij komisioni deri në datën 12 korrik.
Dy ditë më parë bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, i kërkoi parlamentit rimandatimin e tij dhe më pas përfundimin e çështjeve të mbetura pezull, për të cilat palët nuk kanë gjetur dakortësi. Zyrtarisht mandati shtesë i komisionit për reformën zgjedhore përfundoi më 15 maj.

Redaksia online
sg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë