Prej disa muajsh tashmë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përsërit liderëve të vendeve evropiane: të përpiqemi të përshtatemi sa më shumë me Donald Trump, sepse reagimet e tij mund të jenë të paparashikueshme.

Deklaratat e fundit të presidentit amerikan duket se i japin të drejtë Rutte-s. Trump fillimisht njoftoi se do të tërheqë 5 mijë ushtarë amerikanë nga Gjermania; më pas dje shtoi se mund të jenë edhe më shumë. I njëjti fat mund t’i ndodhë edhe Italisë dhe Spanjës.

Optimistët

Megjithatë, ekziston edhe një rrymë mendimi më optimiste krahasuar me atë të udhëhequr nga Rutte. Lideri i Shtëpisë së Bardhë mund të urdhërojë një reduktim të lehtë të pranisë ushtarake amerikane që, më 31 dhjetor 2025, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Pentagon, përbëhej nga 68 mijë njësi. Por Trump nuk do të shkojë deri në braktisjen e plotë të NATO-s. Pse? Ka të paktën tre arsye.

E para është më e dukshmja dhe më e rëndësishmja. Shtetet e Bashkuara kanë shumë baza dhe instalime ushtarake në kontinentin evropian, në kuadër të NATO-s dhe/ose për interesa ekskluzive amerikane. Është e vështirë të imagjinohet që, pasi të dalë nga NATO, Uashingtoni të vazhdojë të operojë në këto baza me të njëjtin efikasitet dhe, mbi të gjitha, me të njëjtin bashkëpunim nga vendet pritëse.

Platformat kryesore janë 16. Në këtë grup spikat baza ajrore e Ramstein-it në Gjermani, ku janë të pranishëm rreth 16 mijë ushtarë amerikanë. Ajo është qendra që kontrollon trafikun global të dronëve ushtarakë, si dhe koordinon operacionet e forcave ajrore amerikane në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, përfshirë edhe ato të fundit kundër Iranit.

Për nevojat aktuale të Pentagonit, Ramstein, ashtu si edhe baza të tjera në Britani dhe Itali (Aviano, Napoli, Sigonella dhe të tjera) nuk zëvendësohen lehtë,

Arsyeja e dytë nuk është aq jetike, por gjithsesi ka peshë. Sa do t’i kushtonte buxhetit të SHBA-së çmontimi qoftë edhe i një pjese të pranisë në Evropë? Gjenerali Mark Hertling, ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, ka shkruar në rrjetet sociale se do të duheshin «qindra miliarda dollarë» dhe të paktën «katër vite planifikim».

Ndoshta është një vlerësim i ekzagjeruar. Megjithatë, duhet llogaritur se nuk transferohen vetëm ushtarët, por edhe familjet e tyre dhe personeli mbështetës. Rreth Ramstein-it, vetëm për të qëndruar në Gjermani, ndodhet edhe “Kaiserslautern Military Community”, me rreth 54 mijë amerikanë.

Gjithashtu, duhet të merren parasysh edhe kostot e tjera, si transporti i mjeteve dhe pajisjeve të sofistikuara. Për më tepër, ku do të rivendoseshin ushtarët, civilët dhe mjetet ushtarake? Do të duheshin ndërtuar baza të reja, por ku? Në çdo rast, do të ishin shpenzime shtesë.

Dividentët e fshehur

Së fundi, janë ato që quhen “dividentët e fshehur” të NATO-s. Bëhet fjalë për porositë dhe kontratat për industrinë amerikane. Zëri më i dukshëm dhe më i rëndësishëm është ai i armëve. Dominimi (të paktën për momentin) i kompanive amerikane bazohet në kontrata të mëdha, si ato për ndërtimin e avionëve luftarakë F-35, raketave me rreze të gjatë ose sistemeve mbrojtëse Patriot.

Por nuk mbaron këtu. Është shumë i rëndësishëm edhe rrjeti prej 1.300 marrëveshjesh mes 32 vendeve anëtare që përcaktojnë standardet e armatimeve dhe pajisjeve të NATO-s: nga kalibri i municioneve deri te diametri i rezervuarëve.

Këto janë kërkesa të vendosura dikur nga Uashingtoni dhe që favorizojnë në masë të madhe jo vetëm industrinë ushtarake amerikane, por edhe sektorët që ofrojnë rreth 5.500 produkte për përdorim si ushtarak ashtu edhe civil: elektronikë, kompjuterë, lazerë, energji bërthamore dhe të tjera.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (Center for Strategic and International Studies), një institut kërkimor me seli në Uashington që merret me analiza të politikës ndërkombëtare dhe sigurisë, vlerëson se dalja e Shteteve të Bashkuara nga NATO do të rrezikonte eksporte drejt partnerëve në vlerë prej 240 miliardë dollarësh në vit./CorrieredellaSera