Rrjetet sociale janë mënyra më e thjeshtë dhe më e shpejtë e komunikimit mes personave që duan të ruajnë lidhjet midis tyre, ndonëse në disa raste vlefshmëria humbet për shkak të mbipërdorimit. Kësaj vorbulle për të dhënë dhe marrë sa më shumë informacion, duket se nuk i shpëtojnë as personazhet e famshëm, të cilët e ndjejnë gjithnjë e më shumë nevojën për të freskuar faqet e tyre me informacione të reja për shkak të famës që duhet të menaxhojnë. Disa personazhe të famshëm kalojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre në Facebook, duke publikuar gjithçka që ka lidhje me ta. Një përdoruese e rregullt e rrjeteve sociale është këngëtarja kosovare, Linda Halimi.

Mes publikimeve të shumta të saj gjen foto me ndryshime të herëpasshershme të pamjes apo edhe aktivitetet që ndjek gjatë ditës. Këngëtarja nuk lë pa përmendur dhe promovuar biznesin e saj, i cili lidhet më qendrat e dobësimit. Një tjetër këngëtare e cila pëlqen të publikojë në Facebook është edhe Enca Haxhia. Bukuroshen e shohim shpesh duke postuar dhe në të njëjtën kohë promovuar këngët e saj më të reja. Gjithashtu, nuk mbeten pas as fotot, komentet, dhe preferencat që ajo ndan me miqtë dhe fansat e saj. Ndërkohë këngëtarja Rosela Gjylbegu, në një prononcim për suplementin tonë është shprehur: “Jam aktive në Facebook. Përpiqem t’u jem afër e të falenderoj nga zemra gjithë ata që më mbështesin. Është një mënyrë e mirë komunikimi që të bën më të afërt me publikun”,-ka theksuar Gjylbegu. Edhe Rezarta Shkurta nuk mbetet pas sa i përket përdorimit të Facebooku-t. Madje kjo këngëtare e njeh publikun dhe fansat e saj edhe me preferencat muzikore, duke i dhënë mundësinë të njihen me shijet e saj muzikore. Megjithatë, nuk janë vetëm vipat të cilët merren me rrjetet sociale si Facebook për të promovuar edhe më shumë veten.

Edhe fansat janë mjaft të dhënë, pasi çdo ditë hapin profile të reja të personazheve të tyre të dashur, duke publikuar çdo foto, video, lajm që mund të qarkullojë për ta. Për çdo artist janë të hapura fan page të shumtë, në të cilat edhe mund të diskutohet për ta. Por nuk mungojnë as faqet ku një artist apo një tjetër nuk pëlqehet. Jo rrallë herë Facebooku u ka hapur probleme personazheve vip. Kujtojmë pak kohë më parë këngëtaren Vesa Luma, Facebooku-n e së cilës e kishin vjedhur. Kjo e detyroi atë të hapë një adresë të re me emër tjetër. “Sa shumë mu paska dasht që me kuptu se skom nevoj me pas afër vetit njerëz që skom muhabet të madh perveq naj interesi reciprok që munet mu kry edhe permes telefonit atëhere kur duhet ..kshtu që ..lezet ma të madh se me pas veq 20 firends/familje në FB spaska :D,”-është shprehur Vesa në profiline saj të ri.

Por ka dhe disa personazhe të famshëm të cilët nuk i përdorin rrjetet sociale përveçse kur është me të vërtetë e nevojshme. Megjithatë, ndonesë Facebooku apo Twitteri janë mjete komunikimi shpesh abuzohet me to duke cënuar ndonjëherë privatësinë e personave që nuk kanë dëshirë që të bëjnë të ditur fakte në lidhje me jetën tyre. Ka dhe disa personazhe të famshëm të cilët nuk i përdorin rrjetet sociale përveçse kur është me të vërtetë e nevojshme. Megjithatë padyshim që Facebook, është kthyer në një matës efikas të famës apo pëlqyeshmërisë të vipave mbi publikun e mesa duket personazhet e famshëm e kanë kuptuar mjaft mirë këtë.

(xh.k/shqiptarja.com)