Sa mundësi ka që Christian Panucci të ikë nga Shqipëria te Roma? Flet Armand Duka/ INTERVISTA

Sa mundësi ka që Christian Panucci të ikë nga Shqipëria te Roma? Flet Armand Duka/ INTERVISTA

Kategoria Superiore ka mbyllur aktivitetin e saj për vitin 2018, ndërsa Kombëtarja Shqiptare ka njohur kundërshtarët me të cilët do të garojë për një vend në Euro 2020, duke filluar që nga muaji Mars i vitit të ardhshëm.

Për të bërë bilancin e një viti dhe për të diskutuar mbi gjithçka ndodhi në futbollin shqiptar gjatë 2018-ës, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dha një intervistë të gjatë për Supersport.

Nëse do t’i vendosnim një notë vitit 2018, cila do të ishte sipas jush?
Është e vështirë! Nuk kam qenë ndonjëherë mësues për të vendosur nota, por mund ta konsideroj si një hap pozitiv, krahasuar me vitet e mëparshme, jo vetëm nga rezultati, por nga gjithçka ka ofruar futbolli në jetën e shqiptarëve.

Këtë vit ju u konfirmuar për herë të 5-të në krye të FSHF-së. A ishte kjo betejë e veçantë dhe emocionuese për ju?
Emocion ndryshe, jo si ato në fushën e lojës, por që nga momenti kur ka përfunduar Asambleja, i kam harruar dhe jam përqendruar në atë se çfarë mund të përmirësojmë dhe ndryshojmë për të pasur një futboll akoma më të mirë.

Në 2014-ën u zgjodhët pa konkurrent, në 2006 dhe 2010, fituat që në raundin e parë. Këtë herë u përballët me një garë interesante…
Ishte nëj garë ndryshe,. Nuk ka emocionet e lojës së futbollit, por ka emocionet e një gare alternativash dhe individësh, për të drejtuar institucionin më të rëndësishëm të sportit në Shqipëri. Alternativa nuk ishte për t’u nënvlerësuar, pasi ishte ish kryeministër i vendit dhe anëtar i parlamentit, pra një figurë e njohur publike, që e bëri edhe më interesante garën për president të FSHF-së.

Një nga temat më të debatuara në këtë periudhë, ishte statusi ligjor i disa anëtarëve të shoqatës. A është bërë diçka në këtë aspekt, që nga ajo ditë?

Nuk ka pasur ndonjë arsye statutore për t’u kontestuar ai detaj, pasi anëtarët e Federatës së Futbollit kanë qenë në vijimësi ata, pavarësisht mosrespektimit të ndonjë burokracie. Tashmë janë të regjistruara dhe është një kapitull i mbyllur, por që u bë i madh për shkak të ndërhyrjes së politikës.

Zgjedhjet ku pëlqejnë dhe këtë herë do të konkurroni për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s…
Mesa duket më pëlqejnë jo vetëm sfidat, por edhe 7 Shkurti, pasi edhe Kongresi i UEFA-s do të zhvillohet pikërisht në të njëjtën datë që fitova zgjedhjet në FSHF, një vit më parë. Jam kandidat jo si individ, por si dëshirë institucionale për të përfaqësuar Shqipërinë në këto nivele të larta të organizmave të futbollit. Sa më shumë të përfaqësuar të jemi në këto lloj organizmash, më mirë do të jetë për ne. FSHF-ja ka shumë përfaqësues tashmë në nivele të ndryshme të UEFA-s, ndryshe nga dikur, që kishim vetëm një delegat. Kemi edhe Denis Bastarin, që tashmë është në administratën e UEFA-s, por edhe disa të tjerë që janë anëtarë të komiteteve të ndryshme, si Edvin Libohova, Ilir Shulku, Artan Hajdari, etj. Edhe kandidimi im është në këtë lloj politike, për të qenë të përfaqësuar edhe më lart Shqipërinë.

Kandidoni për herë të dytë, çfarë ndryshon këtë herë?
Organi është i njëjtë dhe votuesit janë të njëjtë, por kanë ndryshuar kandidatët që do të garojnë dhe shpresoj që t’ia dal të jem fitues. Edhe herën e parë unë e konsiderova veten fitues, pasi nëpërmjet prezantimit, u njohëm më shumë thuajse me të gjithë anëtarët e UEFA-s.

A do të jetë kjo gara e vetme e Dukës për vitin 2019?
Kjo nuk është garë individuale, por institucionale. Gara kemi të shumta dhe synimi janë ndeshjet për Euro 2020-ën, ku do të synojmë të kualifikohemi.

Flitet se mund të kandidoni në zgjedhjet lokale…
Nuk e besoj se do të garoj në zgjedhje politike.

Kombëtarja nuk i kënaqi plotësisht dëshirat e tifozëve këtë vit kalendarik, ndonëse luajtëm dhe u munduam të tregojmë vlerat tona…
Rezultatet do të ishin të mira nëse do t’i kishim fituar të gjitha ndeshjet, ose do ta mbyllnim të parët në grup, por futbolli nuk është matematikë. Kjo do të thotë se pavarësisht humbjeve, nuk do të thotë se kemi luajtur keq. Nëse do të evidentoja një ndeshje thuajse perfekte të Shqipërisë, ishte ajo e Izraelit, të cilën për fat të keq e humbëm dhe këto situata futbolli i njeh. Moment i keq ishte ajo humbja me Skocinë, të cilën e komplikuam vetë. Kishim kundërshtarë të të njëjtës vazo, me të cilët mund të bënim zero pikë, por edhe 12, megjithatë rëndësi është që mbetëm në Ligën C, duke mos rënë nga kategoria.

Dy fitore, një barazime dhe 6 humbje në vitin 2018…
Bilanci nuk mund të konsiderohet pozitiv, por nuk është e njëjtë edhe paraqitja e ekipit. Ndeshjet miqësore, si fitorja me Uellsin, nuk më gëzojnë, pasi dua rezultat në ndeshjet zyrtare. Miqësoret janë për t’u përgatitur për ndeshjet zyrtare dhe këtë nuk e kemi bërë mirë.

Bilanci i Panuccit është 14 ndeshje, 4 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje, por sërish i dhatë besim… 
Nuk jam penduar as që e emërova dhe as që i konfirmova besimin,. Unë të dy vendimet në lidhje me të, i konsideroj ende të drejta, duke pasur parasysh kohët kur janë marrë këto vendime. Kam besim se trajneri do të bëjë më mirë në të ardhmen.

Në ndeshjet e Panuccit janë thirrur 53 lojtarë dhe janë aktivizuar 46. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Fakti që trajneri dhe stafi janë të rinj, kanë kërkuar të kenë sa më shumë informacion dhe për të parë nga afër të gjitha alternativat e mundshme, ndaj edhe kanë ftuar kaq shumë lojtarë. Unë mendoj se një trajner duhet të ndërtojë grupin e tij për të hyrë në një betejë. Ky grup nuk duhet të jetë me më shumë se 25-30 lojtarë dhe të punohet shumë me atë grup lojtarësh. Kjo duhet të ndodhë në eliminatore, por patjetër që brenda atij grupi do të ketë hyrje-dalje, ndonëse jo të shumta. Panucci ka qenë deri diku i detyruar të bëjë këto afrime, por e kanë lejuar edhe miqësoret e shumta. Në eliminatoret e 2020-ës, jam i bindur që e ka menduar grupin me të cilin do të fillojë dhe përfundojë betejën.

Sa mundësi ka që të ikë trajner te Roma?
E lexova sot si lajm, por nuk e di nëse ka vërtetësi, pasi nuk kam folur me Panuccin. Nëse Roma ka interes, do të thotë që kemi një trajner të mirë, që zgjon interesin edhe të klubeve të tilla, por duke njohur nga afër Panuccin, mund t’ju them se është mjaftueshëm serioz që të mos nisë bisedimet me klubin, pa u konsultuar më parë me ne, duke qenë se është nën kontratë.

Ka pasur një reflektim nga ana e Panuccit, pasi para ndeshjes me Uellsin deklaroi se e dinte se si dhe me cilët lojtarë duhet të luajë me Shqipërinë…
Besoj se deklarata e tij ka qenë tërësisht teknike dhe sportive, dhe ma ka shpjeguar edhe pas konferencës se Shqipëria nuk mund të luajë atë futbollin atraktiv që Panucci kishte menduar, ashtu si në ndeshjen me Turqinë. Me Uellsin e fitoi ndeshjen duke luajtur më e mbyllur dhe ndoshta ka planifikuar të luajë më i kujdesur me skuadrën. Gjithsesi kjo është çështje që ha diskutim, pasi disa vënë theksin te rëndësia e lojës së bukur, por edhe të tjerë që i japin prioritet rezultatit.

Të ka shqetësuar marrëdhënia e Panuccit me mediat, apo edhe me një reagim ndaj tifozëve?
Nuk më ka ardhur mirë dhe personalisht i kam bërë vërejtje. Në krahasim me trajnerët e tjerë të mëparshëm, Panucci reklamon më pak sesa ka në të vërtetë. Nuk kujdeset të bëjë promocion për veten, sesa për të bërë punën e tij, ndonëse është detyrë e tij që të vendosë në raport korrekt me median.

Sa besim keni që Kombëtarja mund të përsërisë kualifikimin për në Europianin e ardhshëm?
Duhet të kemi parasysh që ky është një mision i vështirë, por jo i pamundur. Që të bëhet i mundur, duhet që shumë faktorë të bëhen bashkë dhe të bëjmë një edicion perfekt. Grupi është i komplikuar, pasi në Europë nuk ka më skuadra me të cilat ti mund të marrësh 6 pikë të sigurta pa hyrë në fushë. Kemi në grup kampionët e botës, Turqinë, që mund të renditet edhe në vazon e dytë, pasi ka në përbërje emra dhe futbollistë shumë të mirë. Pavarësish rezultateve të fundit, Turqia mbetet një skuadër me lojtarë që luajnë në klube të mëdha të Europës. Islanda ka treguar se ka një skuadër shumë të mirë, me futbollistë që shumica luajnë në Premier League. Shqipëria duhet të luftojë me këta kundërshtarë, por nuk duhet të mendojë asnjëherë se ka fitore të sigurt me Andorrën dhe Moldavinë. Duhet të bëjë maksimumin me këto të dyja, për të mos gabuar dhe më pas do të luftojmë për t’ia dalë. Mund të kishim edhe një grup më të vështirë, ndaj besoj te lufta për t’ia dalë.

Flasim pak për kampionatin shqiptar. Ky vit ka qenë një nga më pak të kontestuarit, pasi u duk se skuadrat morën atë që meritonin…
Të gjithë kampionatet e fundit, në këndvështrimin tim dhe jo vetëm, kanë qenë të forta dhe të luftuara, me 10 skuadra që kanë pak diferenca mes tyre. Këto lloj diferencash po eliminohen çdo ditë e më shumë, dhe kështu vijnë edhe rezultate të paparashikueshme. Edhe vitin e kaluar ishte një kampionat shumë i luftuar në të gjitha nivelet, përveç Lushnjës që u shkëput disi. Edhe gjysma e kampionatit aktual është i luftuar, me kualitet dhe me talente që përfaqësojnë skuadra të ndryshme, ndaj është e vështirë të parashikosh.

Në Kupat e Europës kemi kaluar vetëm dy ture…
Skënderbeu na ka mësuar të avancojmë shumë në kupat europiane, ndërsa besoj se ndikoi edhe fati, pasi Partizani dhe Kukësi u eliminuan për shkak të një shorti të komplikuar. Megjithatë mendoj se meritojmë pak më shumë se këto dy ture, ndryshe nga disa vite më parë kur ishte diçka e rrallë kalimi i një turi të vetëm.

Pjesa e parë e këtij sezoni, ka prodhuar një garë shumë të ashpër, ku kushdo mund të fitojë ndaj kujtdo…
Nëse shohim rezultatet, kuptojmë që kampionati është i paparashikueshëm,. Janë zhdukur diferencat mes skuadrave, por edhe ato të faktorit fushë,. Çdo gjë është e hapur, ndonëse Partizani e ka mbyllur me meritë në krye, duke u shpallur kampion dimri. Të 6 skuadrat e kreut, i kanë mundësitë për të qenë kampionë dhe do të provojnë deri në fund për këtë .

Duket se po prodhohen edhe emra të rinj, gjë e bukur kjo për kampionatin…
Ka disa elementë të rinj, që vijnë nga shkolla shqiptare të futbollit dhe po bëjnë vërtetë mirë. Nuk dua të përmend emra, por disa prej tyre spikasin shumë dhe mund të jenë alternativa për Kombëtaren shqiptare. Madje disa shërbejnë edhe si asete për klubet e tyre, pasi po shiten shtrenjtë tashmë.

Mendoni se është përmirësuar niveli i arbitrimit, apo nuk po merren më klubet me gjykimin?
Unë mendoj se arbitrat kanë gabuar edhe në këtë fillim kampionati, njëlloj si në të tjerët, por vetë klubet tashmë kanë krijuar më shumë besim dhe janë bindur se kemi të bëjmë me gabime njerëzore, që janë pjesë e lojës. Arbitri është një lojtar, që nëse i krijon kushte të mira dhe pak presion, do të luajë më mirë dhe do të bëjë më pak gabime. Kemi parë edhe në VAR- gabime në vendime, jo më në atë arbitrimin njerëzor, ku duhet të vendosësh menjëherë.

VAR-i duket larg Shqipërisë, por 6 arbitrat janë më të mundshëm…
Si për VAR-in, edhe për 6 arbitrat, nuk na mungon asgjë përveç financave. Të dyja kërkojnë kosto të mëdha, që për ne momentalisht janë të papërballueshme.

Një nga gjërat që duhet ta evidentojmë si problematikë, janë shumë ndeshje pa tifozë. Ka një dorë të hekurt ndaj çdo lloj sjelljeje?
Edhe mua nuk më pëlqen ky lloj dënimi, por nuk është se kemi gjetur një masë tjetër alternative që të parandalojë sjelljet e gabuara. Këtë pasojë parashikon Kodi i Disiplinës, por unë mendoj se duhet rritur bashkëpunimi mes klubeve dhe organeve kompetente, që të identifikohen individët që shkaktojnë rrëmuja në stadium dhe të dënohen ata personalisht, pa pasur nevojë për dënime kolektive. Kjo do të ishte gjëja më e mirë, por për momentin nuk kemi arritur ta bëjmë këtë gjë, ndonëse po punojmë për t’ia dalë dhe për të përmirësuar edhe rregulloren. Kemi nevojë për shumë tifozë në stadium, ndaj edhe mua nuk më tingëllon mirë kjo situatë.

Sa larg jemi nga Anglia, ku tifozët identifikohen dhe marrin dënime të ashpra individuale?
Një shqiptar në stadium është shumë më i kulturuar sesa një anglez në stadium, por ligjet dhe rregullat atje, i disiplinojnë ata. Këtë duhet të bëjmë edhe ne, por nuk mund ta bëjë vetëm FSHF-ja. Duhet bashkëpunim me klubet dhe policinë, për t’ia dalë. Pas ndeshjes Skënderbeu-Partizani, ku pati goxha trazira dhe konfrontime me gurë e stola, nuk pati asnjë identifikim dhe penalizim për shkaktarët, ndonëse pati edhe pamje filmike. Në këto kushte, kalojmë te masa tjetër, që është e papërshtatshme.

A mund të kalohet te instalimi i kamerave në stadiume, për të bërë këtë identifikim?
Ka filluar instalimi i kamerave dhe besoj se sezonin e ardhshme do t’i kemi prezente në të gjitha stadiumet e Superiores.

Prekim pak krijimin e Ligës Profesioniste. E konsideroni këtë si një hap të parë drejt asaj se çfarë realisht duhet të përfaqësojë kjo ligë?
Liga është një formë organizimi që teorikisht duhet të jetë më e mirë për Kategorinë Superiore, Ne po tentojmë të bëjmë atë që është më e mirë, por duhet të shohim nëse do të prodhojë një garë më të mirë, më shumë të ardhura, më pak fenomene negative. Pra duhet ta shohim në praktikë, sepse teorikisht synohet përmirësimi i të gjitha aspekteve.

Mendoni se na duhen edhe klube profesioniste, për një ligë profesioniste?
Është diskutuar shpesh kjo çështje, por unë mendoj se nuk mund të jetë kusht për krijimin e Ligës, funksionimi perfekt i klubeve., Mendoj se të dy bashkë, pra klubet dhe Liga mund të ndihmojnë njëra-tjetrën drejt përmirësimit të organizimit, duke shkëmbyer më shumë eksperienca dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin. Tani bashkë mund të punojnë për të shitur emrin e Kategorisë Superiore, për të afruar donatorë etj, gjë që do të ndihmonte të gjithë klubet.

Mbeteni ende i mendimit, që struktura e Kategorisë së Parë është e duhura për kampionatin tonë?
10 skuadra është numri optimal për realitetin tonë sot, duke parë numrin e futbollistëve që kemi, për gjendjen financiare, për të ardhurat që krijohen nga të drejtat televizive etj. Nuk është ideale, por optimale, sepse unë do të preferoja 20 skuadra, por ne nuk kemi mundësi të krijojmë 20 skuadra konkurruese.

Një nga gjërat më pozitive në institucionin tuaj ,është infrastruktura, ku po avancohet me “Arenën Kombëtare”, por edhe “Shtëpinë e futbollit”…
Janë dy vepra shumë të mëdha dhe të rëndësishme për vende si Shqipëria. Kemi një projekt për një stadium mjaft optimal për një vend si i yni. Jemi në rrugën e duhur për ta përfunduar në kohën e parashikuar, pavarësisht ndonjë problematike financiare. Infrastruktura në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm, me stadiumin e Elbasanit, të Shkodrës, etj., ndërsa tani do të investojmë në një projekt interesant për stadiumin e Kukësit, që pritet të ketë një kapacitet prej 6000 vendesh. Mbetemi të angazhuar për të përmirësuar kushtet në të cilat luhet futbolli, pasi vetëm kështu mund të përmirësojmë edhe nivelin e futbollit. Duhet të shtojmë gjithashtu edhe numrin e fushave të futbollit në Tiranë dhe jo vetëm.

A kemi një datë për hapjen e “Arenës Kombëtare”?
Në vitin 2019, sigurisht që ne do të zhvillojmë ndeshje në stadiumin kombëtar dhe besoj se do ta inaugurojmë në maj ose në qershor.

A ka gjetur zgjidhje edhe problemi që ju keni reklamuar në lidhje me rimbursimin nga ana e Ministrisë së Financave?
Sipas nesh dhe ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë që kemi kontraktuar për këtë çështje, ne kemi plotësisht të drejtë në kërkesat tona dhe uroj që Ministria e Financave, me ndërhyrjen e kryeministrit, të ndryshojë dhe të na rimbursojnë, pasi në të kundërt cënohet investimi ynë për ndërtimin e stadiumit dhe kërcënohet përfundimi në kohë i tij.

A kishte lidhje vizita e Sekretarit Organizativ të UEFA-s, edhe me këtë lloj problematike?
Në fakt vizita e tij ishte për të parë projektet dhe fazën e zhvillimit të tyre, por edhe për të parë pengesat financiare që na kanë dalë. Pati edhe një takim me kryeministrin, ku u diskutuan edhe këto lloj vështirësish.

Po “Shtëpia e Futbollit”, kur pritet të përfundojë?
Brenda vitit 2019 do të përfundojë stadiumi dhe i gjithë kompleksi, bashkë me ambientet përreth. Investimi për “Shtëpinë e Futbollit” ishte totalisht i Federatës, por me donacione të UEFA-s.

Ka një klimë jo fort pozitive në situatën financiare të shumë klubeve. Ju si e keni parë këtë situatë?
Gjendja financiare e klubeve të futbollit, ka ardhur në përmirësim, pasi deri para pak vitesh kishin të ardhura zero dhe tashmë kanë disa të ardhura të sigurta si ato nga e drejta televizive, por edhe sponsorët që kanë në bluzë. Edhe të ardhurat nga merkatoja, apo shitja e futbollistëve, po vijnë në rritje. Ne duhet të insistojmë për të siguruar të ardhura nga mosha e edukimit të futbollistëve, pasi nuk e kemi shfrytëzuar këtë aspekt. Klubet nuk janë në situatën më të mirë të mundshme ekonomike, por ka përmirësim të dukshëm. Sa i përket taksimit, duhet që ne bashkë me klubet, të lobojmë dhe propozojmë për të arritur ato synime që kemi, për të mos larguar investitorët në sport.

Pas reformës territoriale, prisja një kujdes të shtuar nga bashkitë e mëdha, ndaj sportit, por po më rezulton e njëjta qasje…
Kultura e investimit, mirëmbajtjes dhe shtimit të ambienteve sportive, është thuajse zero në klubet dhe në institucionet vendore. Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për shembull, nuk i kushton shumë që të ndërtojë në mënyrë të pavarur, 50 fusha futbolli, të cilat kushtojnë maksimalisht 10 milionë euro. Kështu do të shtonte ushtrimin e futbollit amator dhe atij të fëmijëve.Pra nuk është çështje ekonomike, por çështje prioriteti. Unë mendoj se ka ardhur dita që vërtetë të mendojmë për investimet në sport. Nuk është luks, por domosdoshmëri dhe lekët e investuara në sport, i kthehen bashkisë dhe qeverisë, në forma nga më të ndryshmet.

Çfarë prisni nga 2019-a?
Në prag të festave, më lejoni t’u uroj të gjithëve gëzuar Krishtlindjen dhe vitin e ri. Uroj një 2019 sa më të mbarë/ Supersport

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tini: 26/12/2018 18:03

    Duka lujton se FSHF eshte shpk e vet . Ta leme si r mire mandatin e 5 te ( duke manipuluar me shoqata fantazma ) , por bga futbolli nuk e je haberin . Kur traineri I kombetares shkon nga e keqja tek me e keqja , FSHF fuhet te reagonte per zevendesimin e tij . Besimi qe ja fuke tek Panuci nuk edhte i llogjikshem , pasi ketu kemi te bejme me perfaqesimin kombetar dhe jo me nje klub dokudo ku Duka mund te vendis me koken e vet . Per mya Djka eshte e jeqa ne e madhe e FSHF , dhe se nuk e ka idene e manaxhimit te federates

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Shikoni trafikun kilometrik në hyrje e dalje të Tiranës

VIDEOLAJM/ Shikoni trafikun kilometrik në hyrje e dalje të Tiranës