Sadije Agolli, lamtumirë në rrugën pranë Dritëroit të madh!

Sadije Agolli, lamtumirë në rrugën pranë Dritëroit të madh!

“Mendoj, sesi do ta përjetonte Dritëroi vdekjen time. E di, se megjithëse i dobët fizikisht, do të shkruante poezi të bukura për jetën dhe vdekjen, për lindjen dhe ngrysjen e ditës, për zogjtë dhe lulet, për fluturat. Do të shkruante, megjithëse gishtërinjtë i kishte të shtrembëruar nga stërmundimi i një jete të tërë...”. 
Kështu është shprehur pak kohë më parë Sadije Agolli, bashkëshortja e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, kur ai u shua. Kaloi plot dy vjet, duke mbartur brengën e ikjes së madhe të Dritëroit dhe ja e mori rrugën drejt tij...!

Sadije Agolli, mësuese dhe gazetare e njohur, bashkëshortja e Dritëro Agollit, u nda nga jeta mesdrekën e 26 shkurtit 2019. Ajo ndërroi jetë papritur në moshën 76-vjeçare, një javë, pas shtrimit në pavijonin e Neurologjisë në QSUT, pasi pësoi një hemorragji cerebrale. 

Më 3 shkurt të dy viteve më parë u shua edhe shkrimtari i madh, Dritëro Agolli në moshën 85-vjeçare. Sadijen e mposhti dhimbja dhe e ndoqi siç duket pas shkrimtarin, siç kishte bërë në gjithë jetën e saj. 

“Ne i dhamë njëri-tjetrit shqetësime dhe gëzime, vuajtje dhe dashuri, mundime, përpjekje, rëndime dhe lehtësime, psherëtima dhe lot, por edhe të qeshura me shpirt, me zë të lartë, ndarje dhe afrime njësh, pra i dhamë njëri-tjetrit çdo gjë.

Unë pata privilegjin, që u rrita qysh në moshën 22-vjeçare me Dritëroin, që u maturova, u poqa, u mplaka së bashku me Atë. Pata fatin e madh që atij ia pasurova Muzën për të shkruar një libër me 238 faqe poezi dashurie, përveç personazheve në romane, tregime, drama, komedi...
E ndjej veten të plotësuar në jetën time me Atë, pasi arritëm të kuptoheshim me një lëvizje dore, gishti, këmbe, syri, kollitjeje...”., kështu shkruante Sadija një vit më parë kur doli në dritë libri “Dashuri në moshën e Krishtit”, një libër që përmban letrat intime të Dritëro Agollit shkruar për të në vitet 1964-1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me njëri-tjetrin. 

Plaga e Sadijes për humbjen e shkrimtarit nuk mundi të të mbyllej. Ajo duhet të jetonte. KY ishte edhe amaneti i Dritëroit. Në sytë e saj sa ishte gjallë të gjithë shihnin të gjallë dhe Dritëroin. Por në zemrën e Sadijes ikja e Dritëroit la një pikëllim të madh. 

“Secili lë pas dhimbjen, një plagë të hapur, që ngacmohet vazhdimisht nga kujtimet, mbresat, nostalgjitë, me vdekjen asnjëri nuk mësohet. Edhe unë nuk po mësohem dot. Nuk kam dëshirë të dal, të pres dhe të përcjell njerëz, e ndiej veten më mirë në vetminë time, të hedh shënime, të shfletoj dosjen e letërkëmbimit, librin me poezi “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe çdo gjë që ka lidhje me Dritëroin...”, rrëfente Sadija pas vdekjes së tij. Ndaj është e rëndë vdekja e kësaj zonje të madhe. Vjen si në vdekje e dyfishtë. Ngjan si të jetë lamtumira e dytë e Dritëroit. Ka dhimbje dhe lot edhe në largimin e Sadije Agollit. 

“Unë sot gjithnjë kam jetuar me ty. Shkronja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkronja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vete, engjëll mbrojtës? Dreq o punë.”, -i shkruante Dritëroi 33-vjeçar Sadijes 22-vjeçare. E pas 55 vitesh sëbashku, Sadija nuk vonoi, nuk “e la vetëm”. U nis si ëngjëll mbrojtës drejt Dritëroit. 

Në dy vjetorin e ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, Sadije Agolli në një intervistë për Report Tv me gazetaren Valeria Dedaj thoshte se ende jetonte me kujtimet e tij, me veprat, porositë e personazhet aq të dashura për lexuesin. Rrëfente edhe amanetin për ta kthyer në muze, shtëpinë ku jetuan.

“Unë e kam ndier shumë mungesën e tij, do doja që të kisha mendimin e tij. Për çdo gjë unë flisja me të. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, që gjithë ky ambient që kemi jetuar një jetë të tërë të jepet për muze. Mirëpo, duhet të kapërcej vetveten në këtë rast. Edhe për hir të Dritërorit, që deri më tani nuk është bërë asnjë muze, qoftë edhe në fshat, që i kemi çuar edhe materialet qëkur ishte Dritëroi gjallë. Nuk u bë asgjë. kështu që tani duhet bërë kjo sakrificë nga unë edhe nga fëmijët, që ky ambient të paktën të kthehet në muze. Këtu ka shumë gjëra që mund të mësojnë njerëzit, kushdo që vjen. Është jeta e tij, puna e tij, e pasqyruar në vepra, në gjithë këtë që shihni ju. Por edhe të tjerët mund ta mësojnë jetën e tij, si shkrimtar, si njeri edhe si artist. Përveç bibliotekës që e kemi shumë të pasur, ka piktura edhe skulptura, secila prej tyre mbart një kujtim”, - rrëfente Sadije Agolli në intervistën e saj të fundit, për Report TV.

Sikur ta parandiente gjatë asaj interviste, Sadije Agolli tha se kjo mund të ishte intervista e saj e fundit që fliste kaq gjatë. Kishin kaluar dy vjet dhe Sadija nuk arrinte të mësohej me mungesën e Dritëroit. E bija, Elona rrëfehet se kishte nisur të mos e zinte gjumi. Pagjumësia ia kishte rënduar shëndetin. “Mua më mungon gjithçka, por ndjej përgjegjësi më të madhe, pasi duhet të realizoj në libra, ato dorëshkrime që nuk arriti t’i plotësojë dhe t’i shihte të botuar.”. Ky ishte i vetmi motiv që e mbante në jetë Sadijen Agollin, motiv i ndërprerë për fat të keq nga shuarja e jetës në mesdrekën e 26 shkurtit 2019. Sadije Agolli, lamtumirë në rrugën pranë Dritëroit të madh!

 

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë