Po në 26 maj Irene M...shpërndan një link për librin “Dëshira të ëmbla”: “Të ardhurat e mbledhura nga shitja e librit të Sadijes do të shkojnë për bamirësi, pra duke e blerë atë bëjmë një dhuratë të dyfishtë: gëzojmë dikë që është në nevojë dhe pasurojmë miqtë tanë me një libër recetash që duhet të jetë në çdo kuzhinë. Unë i kam provuar, janë fantastike!”. Por reklama e librit të Sadije Berishës në Facebook, megjithëse shfaqet si reklamë, nuk punon më...
Më 24 maj Sadija ndërron foton e profilit në “Facebook”, duke vënë një foto të sajën ndërsa përgatit një tortë me fruta. Dy ditë para kësaj, kishte vendosur foton duke shtrënguar në gjoks librin me receta gatimesh dhe kështu me radhë, si një kujtim të bukur nga jeta në Shqipëri.
Përkushtimi i saj duket se është familja, fëmijët e saj: Në 27 janar, duke sjellë në “Facebook” foton e katër fëmijëve të vet ajo shkruan thënien e Xhejn Hauard për fëmijët e saj, Lajdon, Micki, Medina dhe Moradi Berisha, që shfaqen të lumtur, duke shijuar gatimet e saj: “Quajeni klan, quajeni rrjet, quajeni tribu, quajeni familje. Çfarëdo që ta quani, kushdo që të jeni, ju keni nevojë për të”.
Jeta e saj vijon atje ku ishte vendosur, pas largimit nga SHBA, në komunën Nacka në lindje të kryeqytetit suedez Stokholm, themeluar në 1971 dhe me popullatë prej rreth 50 mijë banorësh. Në një foto të hedhur më 14 prill 2013 nga djali i saj me martesën e parë, Micki Berisha, Sadija shfaqet me flokët e prera shkurt, e lumturuar dhe me një look krejt ndyshe nga ai që kishte në Tiranë.
Largimi
Dyshimet e para për kthimin e Sadije Berishës dhe fëmijëve të saj në Suedi lindën pak muaj më parë, pas mungesës së gjatë të saj në publik, ku nuk kishte munguar të dilte në prani të bashkëshortit, Shkëlzen apo vjehrrës, Liri Berisha. Në foton e publikuar nga kryeministri Berisha në profilin e vet në Facebook, me rastin e vitit të ri ndodheshin të gjithë pjesëtarët e familjes përveç Sadijes, ndërsa zyra e shtypit e kryeministrit tha se “ajo po bënte foton”!!!. Largimi i saj u dha peshë fjalëve se marrëdhënia mes saj dhe djalit të kryeministrit ishte në krizë, pas një lidhjeje të re që Shkëlzeni kishte nisur prej disa kohësh. Por edhe pse e larguar, në profilin e vet në facebook, Sadije Berisha mbetet simpatizante e PD-së së vjehrrit të saj, Sali Berisha, siç e shpreh te kategoria “Pikëpamje Politike”.
Sadije & Shkëlzen Berisha, një histori 15-vjeçare
Në 24 prill 2012, ish-presidenti Topi firmosi dekretin për dhënie shtetësie shqiptare për Sadije Berishën dhe nënën e saj Sadije Elezi. Kjo ndodhte 14 vite, pas vitit 1998, kur Sadija ishte njohur me djalin e ish-presidentit Sali Berisha, asokohe në opozitë, ndërsa në pushtetin ishte PS-ja. Shkëlzen Berisha, sot 37, ishte vetëm 22 vjeç atëherë kur shkoi të jetonte në shtëpinë e Sadijes, një prej katër vajzave të Hasan Berishës. Bashkëshortja e ardhshme e Shkëlzenit ishte kthyer në Suedi, pas një lidhjeje të mëparshme në SHBA dhe më dy fëmijë Muratin (sot Micki) dhe Muradien (sot Moradi).
Sadija, njëra prej katër vajzave të Hasan Berishës, bashkë me të ëmën dhe një motër për disa vite jetuan në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo u martua me një shqiptar dhe nga martesa e parë pati dy fëmijë binjakë, Muratin dhe Muradien, sot 23-vjeçarë. Në vitin 1989 bashkë me të atin, nënën, motrën dhe dy fëmijët ajo rikthehet në Suedi, në Stokolm. Në kohën që Shkëlzeni shkoi te miqtë e të atit në Suedi, Sadija bashkëjetonte edhe me dy fëmijët e saj. Jeta nën një çati duket se ishte dhe shkëndija e dashurisë mes çiftit. Edhe pse në moshë të madhe, Sadija atëherë ishte 30 vjeçe, u lidh me 22-vjeçarin Berisha. Jeta e tyre vazhdoi të bëhej në Suedi. Si vajza e një biznesmeni në Stokoholm, Sadija punonte në bizneset e të atit. Lidhja e tyre përfundoi në martesë, nga e cila kanë dy fëmijë, Medinën dhe Lajdonin. Pas shumë refuzimeve, siç raportonte media në fillim të viteve 2000, më në fund Sali Berisha vendosi ta pranojë lidhjen e të birit me një grua më të madhe në moshë dhe mbi të gjitha me lidhje farefisnore.
Pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës, i biri vendos të kthehet në Shqipëri, por duke mos e ekspozuar në publik familjen e vet, e cila më shumë rrinte në Durrës dhe më pas në një vilë luksoze në Lundër.
“Dëshirat e ëmbla” të Sadije Berishës
Në panairin e 14-të të Librit në nëntor 2011, Sadije Berisha ishte autore. Solli librin me receta kuzhine “Dëshira të ëmbla”, kryesisht ëmbëlsira, që ajo i kishte krijuar vetë, apo i kishte marrë nga familjarët dhe popuj të ndryshëm në Europë. Duke folur për median, ajo ia kishte lënë meritat të shoqit për botimin e librit”: “Dua t’i them faleminderit bashkëshortit tim për inkurajimin që më ka dhënë. Nuk u ankua asnjëherë kur frigoriferi ishte plot gjalpë, vezë dhe kekëra në vend të darkës”, shprehej ajo, pa harruar edhe fëmijët, të cilët e ndihmojnë për punët e shtëpisë. Në librin e saj “Dëshira të ëmbla”, Sadija zbuloi ëmbëlsirën e preferuar të Shkëlzenit, ato të fëmijëve, receta të trashëguara brez pas brezi, madje edhe ndonjë të “huazuar” nga familja e të shoqit. Keku që i prishi mendjen Shkëlzenit, siç thoshte Sadija, është një ëmbëlsirë me çokollatë që mund të shërbehet e ngrohtë me akullore me shije vanilje, i butë dhe asaj i pëlqente që ta shijonte ditën tjetër, pasi një nate qëndrimi në frigorifer.
(Foto: Sadije Berisha me djalin 23 vjeçar)
Marrë nga gazeta "Shekulli"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)