Sadik Bejko: Mihal Luarasi, një jetë
e shkëlqyer mes artistit e skenës

Sadik Bejko: Mihal Luarasi, një jetë<br />e shkëlqyer mes artistit e skenës<br>
I dënuar me burg dhe i përzënë nga jeta artistike, ai dhe e shoqja, aktorja Edi Luarasi. I rikthyer në skenë si regjisor dhe si autor dramash dhe librash në këto vitet e pas '90-s. 

Mihal Luarasi ishte një prej personaliteteve të artit skenik shqiptar me një kontribut që e kalon gjysmëshekullin. I lindur në 1929-n në qytetin e Korçës, pjesëmarrës në LNÇL, i arsimuar si regjisor në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit në Hungari në 1958, Mihal Luarasi punoi si regjisor në Teatrin Popullor, në Teatrin e Estradës, regjisor i jashtëm në Teatrin e Operës dhe të Baletit, regjisor në teatrin “Çajupi” të Korçës dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.

Në vitet ’70 të shekullit që shkoi Luarasi, krahas dy figurave të tjera të spikatura të artit skenik shqiptar, Piro Manit dhe K. Spahivoglit, kishte krijuar profilin e tij qartësisht të identifikueshëm. Ai, siç thuhej atëherë, vinte nga fluksi ideoestetik i Europës Qendrore, nga Hungaria, nga ndikimet estetike të teatrit të Brehtit dhe të estetit tjetër të njohur botërisht, G. Lukaçit. Dy rivalët dhe kolegët e Luarasit, regjisorët Piro Mani dhe Kujtim Spahivogli, të shquar secili më vete, të ravijëzuar qartë, ishin ndjekës të shkollës ruse, të teatrit të Stanislavckit.

Edhe dramaturgët e Tiranës së atyre viteve ishin tre: Minush Jero, Ibrahim Uruçi, Fadil Paçrami. Fadil Kraja e Dionis Bubani vinin disi më mbrapa… Më i riu, më tragjiku, yll i shuar ende pa dalë në qiell, ishte Shpëtim Gina. Ky shkroi drama të tipit të teatrit absurd, shkollë teatri e afishuar në Francën e asaj kohe, drama që iu ndaluan si spektakle, ndaj mbase Shpëtim Gina vdiq e shkoi fare i njomë dhe krejt misteriozisht. Plenumi IV i Partisë, në 1973-n, Spahivoglin e çoi në prodhim, Mihal Luarasin dhe Minush Jeron i rrasën në burg, u përjashtuan përfundimisht nga jeta artistike.

Ibrahim Uruçi u degdis fshesaxhi rrugësh në Memaliaj, Fadil Paçrami… në burg, pra, u fshinë edhe këta nga jeta artistike. Nga gjithë të mësipërmit, vetëm Mihal Luarasi mbijetoi deri më sot. Pas ’90-s ai iu kthye jetës skenike si regjisor dhe autor dramash e librash. “Përjetësisht dashuria”, autor dhe regjisor, Tiranë 2013, është suksesi i tij më i fundit në skenën e Teatrit, një spektakël i ngjyrosur nga nostalgjia dhe poezia e tekstit, e regjisë. Shqipëria, kur disa nga emrat që përmenda më lart ishin ikona të artit, prej disa dekadash nuk është më. Dhe teatri i sotëm nuk është më aq masiv, me aq peshë në jetën artistike, nuk është aq i magjishëm sa në vitet ‘70. 

Luarasi ka lënë të shkruar në librin “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë” kujtimet e viteve ’70, kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, në pikun kur vlerat kishin prekur majat, dhe mu në këtë vrull vetjak ende në ngjitje e sipër, atë e skualifikojnë, e burgosin, e poshtërojnë. Libri u shkrua fillimisht në 1994-n, në rreth 80 faqe, si reagim ndaj librit të Todi Lubonjës “Nën peshën e dhunës” dhe që atëherë është shpërndarë si dorëshkrim. Me kaq Luarasi është tërhequr. Pas disa vjetësh, për arsye të tjera, dorëshkrimi është rimarrë dhe na vjen tani në këtë botim përfundimtar.

Në këtë vazhdë, diskursi polemist i librit këmbehet me shfletime të kujtesës së Luarasit, me digresione të cilat të çojnë në thelb të ngjarjeve, te ngjizja e atyre shfaqjeve teatrore dhe e spektakleve që në vitet e diktaturës ishin shprehje e lirisë, e forcës krijuese, e guximit të artistëve që ndiznin pishtarin e dritës në terrin e diktaturës. Shumë ujë ka rrjedhur që prej atëherë dhe shumë baltë hodhi diktatura mbi artistët e atyre viteve. E vërteta është që edhe më pas mendimi kritik nuk u ndal në vlerësimin profesional të atyre ngjarjeve të bujshme si spektakli i dramës “Njollat e murrme”, spektakli i Festivalit të Njëmbëdhjetë në Radio Televizionin Shqiptar etj.

Në këtë libër jepet një prerje e hollë e klimës krijuese të kohës dhe e profilit artistik e human të njerëzve që guxuan dhe sfiduan dogmën e realizmit socialist. Dhe kjo qe një vazhdë krijuese. Dhe kjo ndodhi se në vitet ’70 prurjet në talente dhe në pjekuri profesionale krijuese në Tiranë qenë të afta për të ndërmarrë jo akte sfiduese formale, por se artistët e ndienin veten në nivelin më të mirë botëror të artit. 

Jo më kot, rreth 25 vjet më pas, drama “Njollat e murrme” u inskenua nga një teatër francez. Janë të dhimbshme faktet se si diktatura i poshtëronte dhe i shpërfytyronte këto talente, i detyronte të pohonin publikisht në mbledhje linçuese të kundërtën e asaj që kishin shprehur pak ditë më parë, pra të mohonin dhe të kërkonin ndjesë për atë që realisht ndienin e mendonin. Pas gjithë këtij kursi të dhunës psikologjike, ku artistët viheshin kundra vetes e kundra njëri-tjetrit, do të vinin dhe prangat e burgut. Eliminimi nga jeta artistike i më të mirëve. Libri “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë” në këtë mënyrë bëhet një dëshmi për dhunën, për vrasjen e artistit dhe të lirisë krijuese. Dëshmi e sjellë nga njëri prej atyre artistëve që në vitet ’70 ishte në apogjeun e arritjeve historike të artit skenik shqiptar.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari