Shqipëria do të luajë të premten dy ndeshjet e para eliminatore të Europianit kundër Turqisë dhe Andorës. Në prag të takimeve para mediave janë prononcuar dy futbollistët Armando Sadiku dhe Eros Grezda.
Fillimisht ka folur sulmuesi Sadiku i cili ka lënë pas dëmtimin e rëndë të pësuar dhe është kthyer në Kombëtare pas një viti.
“Është e vërtetë që pas një viti u riktheva sot dhe jam shumë i lumtur dhe me shumë pozitivitet. Mezi po pres të rikthehem dhe të gjej golin aty ku e kam lënë. Jam shumë mirë fizikisht pasi kam luajtur edhe me Luganon dhe çdo javë, po kap formën fizike më të mirë.
E kam ndjekur Kombëtaren gjatë gjithë ndeshjeve dhe nuk është se kemi zhvilluar lojë të mirë. Kemi treguar se nëse luajmë si dimë mund të marrim rezultate pozitive. Ka munguar goli dhe shpresoj që me rikthimin tim ta gjej.”
Ndërkohë për sulmuesin Durmishaj i cili la kuqezinjtë për të përfaqësuar kombëtaren greke Sadiku u shpreh:
“Nuk e di kush është Durmishaj. Kam lexuar disa lajme dhe informacione por nuk e njoh.”
Ndërkohë Eros Grezda është shfaqur mjaft optimist për dy ndeshjet e radhës:
“Unë do bëj maksimumin, edhe lojtarët e tjerë të grumbulluar janë kualitative, jam i gatshëm të luaj në të gjitha pozicionet ku më vendos trajneri por ndihem jap më të mirën në krah, veçanërisht në të djathtë.
Jam i lumtur që rikthehet Sadiku, pasi e kam thënë se mungesa e tij ndjehet shumë. Kuptohem shumë me Sadikun dhe shpresojmë të arrijmë rezultat pozitiv. Jemi të motivuar dhe duam fitoren, do bëjmë gjithçka për ta arritur”.
Për kualifikimin
“Nëse mendojmë të kualifikohemi duhet të luajmë për 6 pikë, në të kaluarën i kemi bërë të gjithë krenar, dhe do mundohemi të bëjmë përsëri pasi i kemi mundësitë”.