Saimir Sulës iu mor zemra në një spital në Spanjë, të afërmit e tij protestë para ministrisë së Drejtësisë

Të afërmit e të riut shqiptar Saimir Sula, trupi i të cilit erdhi në Shqipëri pa organin e zemrës pasi humbi jetën në një spital në Spanjë, po protestojnë këtë të martë përpara Ministrisë së Drejtësisë. Prej këtij institucioni, protesta do të vijojë më pas në formë marshimi drejt kryeministrisë. Në 8 maj, familjarët e Sulës protestuan edhe para Parlamentit Europian në Bruksel.

Sot, Majlinda Sula motra e të ndjerit, gjatë protestës para ministrisë së Drejtësisë tha se bëhet fjalë për trafik organesh dhe i kërkoi Ulsi Manjës që të kontaktojë homologët spanjollë për zbardhjen e ngjarjes. Ajo shtoi se edhe nëse nuk ka pasur trafik organesh, atëherë është e dyshimtë përse ende nuk ka një analizë ADN-je për zemrën e gjetur në Spanjë që pretendohet të jetë e Saimir Sulës.

“Këtu logjikisht ka trafik organesh. Nëse nuk është trafik organesh, ku është zemra? Nuk po mendojmë për një moment që është trafik organesh, ma thoni ju ku është zemra dhe pse është kaq e vështirë të bëhet një ADN. Zoti Manja në 3 vite rradhazi, ju mbajtët heshtje. Nuk i kërkuar llogari homologes për 7 letër porositë që janë dërguar”- u shpreh Majlinda mes të tjerash.

Në tetor të vitit të kaluar, Majlinda Sulës, motrës të 31 vjeçarit të ndjerë, i ka ardhur një raport nga spitali në Spanjë, ku i thuhet se është gjetur zemra e vëllait të saj. Mirëpo sipas Majlindës, ky lajm nga spitali nuk është i besueshëm dhe për këtë ka kërkuar që të bëhen analizat e ADN-së për të përcaktuar nëse vërtet zemra e gjetur është e vëllait të saj. Në shkurt të këtij viti pas një takimi mes prokurorëve shqiptarë dhe atyre spanjollë, u bë me dije se zemra e 31 vjeçarit do të vinte në Shqipëri pas kryerjes së procesit të ADN-së në Spanjë.

Një analizë e tillë ende nuk është kryer dhe familjarët dyshojnë se në këtë rast bëhet fjalë për trafik organesh.

Në protestën e sotme, familjarët kanë mbajtur banderola dhe pankarta në duar ku shkruhej “ADN urgjent”, duke i kërkuar edhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe kryeministrit, Edi Rama që të angazhohen për zgjidhjen e ‘misterit’ të zemrës së Saimir Sulës.

Një historik i ngjarjes
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2020 rreth orës 23:00. Pandemia ishte në fazën fillestare. Një i ri shqiptar i quajtur Saimir Sula ka hyrë në Spitalin del Mar ( Barcelona ) i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Djali kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test covid, i cili doli negativ. Ata e futën brenda, ndërsa motra e tij qëndronte jashtë në pritje të rezultateve. 18 orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t'i thënë se vëllai i saj kishte vdekur.

Vdekja e çuditshme u pasua nga një sërë misteresh që familja e viktimës ende nuk i ka sqaruar. E para është se, sipas motrës së të ndjerit, kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord. Majlinda nuk pranoi sepse pa mavijosje në trupin e vëllait të saj dhe kërkoi që kufoma do të transferohej në Shqipëri , vendlindja e saj, ku do të kërkonte një autopsi të dytë. Arkivoli mbërriti në Tiranë dhe u krye testi i dytë. Ekipi që e kreu atë lëshoi ​​një raport duke siguruar se trupi kishte mbërritur pa zemër.

Gjendet zemra, mister kujt i përket
Pak kohë më pas, Majlinda mori një raport nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Katalonjës (IMELEC), duke i thënë se tashmë e kishin gjetur zemrën e vëllait të saj. Ky lajm i papritur e bëri atë të dyshonte se ky organ i përkiste Saimirit të saj. Pa zgjidhur të panjohurat e para, u shtua një e re: pse një zemër po shfaqej tani nga askund? Kush e kishte nxjerrë dhe pse? A ishte vërtet zemra e humbur e Saimirit?

Nisur nga dyshimet dhe të nxitura nga Prokuroria Shqiptare, Majlinda kërkoi (përmes avokatit të saj, Carlos Sardinero), një test ADN-je, por të gjitha kërkesat janë refuzuar. Për më tepër, çështja është pushuar në dy raste nga Gjykata Hetuese Nr. 16 e Barcelonës, pavarësisht urdhrave shqiptare. Pavarësisht kësaj as motra e të ndjerit dhe as avokati i tij nuk besojnë se kjo zemër i përket Saimirit.

Familjarët kërkojnë drejtësi
Edhe sot e kësaj dite familja e viktimës pohon se ende nuk e dinë se çfarë i ndodhi Saimirit atë natë, pse trupi mbërriti në Tiranë pa zemër dhe nga erdhi zemra që i atribuohet Saimirit dhe pse po refuzohet të bëhet një test ADN. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:08
Trupi i pajetë i vëllait të saj erdhi pa zemër në atdhe, e motra e Saimir Sulës para ministrisë së Drejtësisë: Bëhet fjalë për trafik organesh

 

Majlinda Sula, motra e të ndjerit Saimir Sula, trupi i të cilit erdhi në atdhe pa organin e zemrës, ka organizuar sërish protestë para ministrisë së Drejtësisë ku i ka kërkuar ministrit Ulsi Manja të kontaktojë me homologët spanjollë për zbardhjen e ngjarjes.

Ajo tha se qartazi bëhet fjalë për një rast të trafikut të organeve dhe se prokuroria shqiptare, ende nuk ka bërë asnjë veprim për të hetuar plotësisht denoncimet e familjarëve.

“Këtu logjikisht ka trafik organesh. Nëse nuk është trafik organesh, ku është zemra? Nuk po mendojmë për nj moment që është trafik organesh, ma thoni ju ku është zemra dhe pse është kaq e vështirë të bëhet një ADN. Zoti Manja në 3 vite rradhazi, ju mbajtët heshtje. Nuk i kërkuar llogari homologes për 7 letër porositë që janë dërguar.

Zonja Suela Salavaçi prokurore e rastit në Shqipëri, keni një rat të hapur për trafik organesh. Kodin Penal nuk e kemi bërë ne si familje. Nëse keni një rast të tillë, ju këtë rast më tregoni si do e mbyllni? Pse nuk e hetoni, pse nuk është vijuar hetimi në 3 vite? Unë iu kam nisur me një USB videot e vdekjes së vëllait tim, pse nuk keni interes për të parë këto video ku tregohet Saimiri i masakruar nga 8 rojet e spitalit publik në Spanjë?”- u shpreh Majlinda Sula, motra e të njërit Saimir Sula.

B.V/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 23/05/2023 19:29

    Zemra qunit rrahë në një trup të dikujt, kurse Kjo kurva mashkull kriget në fshatin ton të mjerë…!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç mesazh kërcënues: Jeta është luftë, Serbia do të fitojë

Vuçiç mesazh kërcënues: Jeta është luftë, Serbia do të fitojë