Ish-Kryeministri Sali Berisha, sot deputet i Partisë Demokratike, ka një arsye më shumë për t'u zgjuar i gëzuar ditën e sotme. Berisha e gdhiu shëndoshë ditën e sotme, si një 71-vjeçar i lumtur.

Ish-Kryeministri feston sot 'vitin e parë të vjeshtës së tij' siç atij i pëlqen ta quajë dhe ka përfituar nga rasti për të falënderuar në Facebook të gjithë ata që kanë patur ndikim pozitiv në formimin e tij shpirtëror, moral e profesional.

Si një gentleman i vërtetë, ai u tregua mirënjohës së pari ndaj bashëshortes së tij Lilit, duke vijuar me fëmijët, nipërit, mbesat, miqtë e bashkëpunëtorët. Kalvarit të urimeve ndaj deputetit iu shtua mes të tjerash edhe gazetari Edison Ypi.

"Bjeri Internetit kryqetërthor, çfleto sa të duash libra e enciklopedira, 25932 ditë më parë, asgjë më e rëndësishme nuk ndodhi në botë, veçse lindi Doktori," shkroi Ypi në sektorin e komenteve në Facebook-un e kryeministrit.

Gjatë një dreke zyrtare ditën e sotme në Forumin e Crans Montana, Sali Berishës i organizuan një surprizë të vogël për ditëlindje miqtë dhe të pranishmit. Ish-kryetari i Partisë Demokratike ka falënderuar dhe shprehur mirënjohjen në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
berisha
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)