Pas protestës së dhunshme të Sali Berishës për të marrë selinë e PD-së, ish-kryeministri ka pranuar se qëllimi maksimal nuk u arrit, ndërsa ka paralajmëruar se po bëjnë përgatitje serioze që herë tjetër selia e PD, të pastrohet nga vrasësit dhe trafikantët.

'Shkuam për të nxjerr jashtë selisë vrasësit, banditët. Për të nxjerr nga zyra butësisht jo me të prekur, deputetin Lulzim Basha. Këto të dyja ishin qëllimet. Qëllimi maksimal nuk u arrit. Ishte gazi që nuk përballohej në ambientet e brendshme. Ata dispononin të gjitha mjetet që disponon policia e ndërhyrjes së shpejtë. Dispononin pistoletë neuroparalizuese. Dispononin bomba gazi, bomba shurdhuese, bomba tymuese. Pajisjet anti-gaz gjenden me vështirësi, ndaj do të bëhen përgatitje më serioze herën tjetër dhe shtëpia do pastrohet nga vrasësit dhe trafikantët.'- tha Berisha.

Madje, ai hodhi akuzat edhe ndaj Lulzim Bashës ku tha se është përfshirë në aferën korruptive për projektin e Portit të Durrësit. Berisha tha se ka dalë qartë që Basha është i përfshirë në këtë koncesion.

 “Do të jetë opozitë e vërtetë. Pse do të lemë ne Portin e Durrësit që 800 mijë metra t’i marrë Rama me Bashën. Kurrën e kurrës”, tha ish-kryeministri gjatë intervistës në “Now”.