Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka dorëzuar në Kuvend propozimin e tij sa i takon projektligjit për “Dhënien e Amnistisë” për rreth 600 të dënuar, mes tyre 14 gra dhe 10 të mitur.
Ndryshe nga deputeti Ferdinand Xhaferraj i cili dorëzoi në Kuvend një amendament ku kërkohet amnistimi i çdo personi që është dënuar me 2 vjet nga shkalla e parë dhe nuk është dhënë ende një vendim i formës së prerë nga gjykata e Apelit, Salianji propozon që nga ky amendament të përjashtohen deputetët apo ish-deputetët.
"Dua të theksoj se unë nuk hyj tek ata që cënojnë dinjitetin, nuk bëj asnjë kompromis me asnjë nga akuzat, bandit, kriminel mafioz që është përfshirë në trafik droge. Jam i vetmi politikan që gjykohem në gjykatë për shkak të një denoncimi në interes publik”, u shpreh Salianji gjatë deklaratës së tij nga kryesia e Kuvendit.
Në këtë mënyrë, Salianji hedh poshtë aludimet se kërkon të përfshijë veten e tij në projektligjin për amnisti për shkak të dënimit të tij me 1 vit burg nën akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim sa i takon inskenimit të audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.