Një 53-vjeçar ukrainas, i shpallur në kërkim për trafik droge si pjesë e një organizate kriminale, është arrestuar në aeroportin e Rinasit.

Sipas Policisë së Shtetit, 53-vjeçari Anatolii Streletskyi u arrestua sapo zbriti në aeroport, pas shkëmbimit të informacionit me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

53-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet e Kievit për trafik të lëndëve narkotike.

“Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në sajë të shkëmbimit në kohë reale të informacionit me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, arrestuan shtetasin:

A. S., 53 vjeç, shtetas ukrainas.

Ky shtetas u arrestua nga shërbimet e Policisë, në momentin që zbriti në aeroportin e Rinasit.

Shtetasi ukrainas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit, për trafik të lëndëve narkotike, si pjesë e një organizate kriminale.

Policia e Shtetit po punon me agjencitë partnere lidhur me këtë anëtar të organizatës kriminale, si dhe Interpol Tirana po punon për fillimin e procedurave të ekstradimit me homologët ukrainas”, njofton Policia e Shtetit.

Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Ukrainës.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë