Ish-deputeti Ervin Salianji e ka sfiduar publikisht Sali Berishën dhe thotë se do të jetë pjesë e garës së 23 majit për kreun e PD, ndonëse kupola drejtuese e partisë i mbylli derën duke thënë se nuk do ta lejojnë të jetë pjesë e garës pasi nuk është më pjesë e anëtarësisë. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Salianji deklaroi se do të jetë pjesë e garës, ndërsa kritikoi PD për mungesë transparence mbi procesin, duke thënë se para se të publikohen datat se kur do të zhvillohet gara, fillimisht duhej të dilnin listat e votuesve dhe rregullat për garuesit.
“Po, do të jem në garën për kryetar të PD, pavarësisht se është përcaktuar data e zgjedhjeve që është 23 maj, por PD nuk ka përcaktuar siç duhet procesin, sepse para se të dalin datat ka një parim ku dalin listat e votuesve, rregullat për garuesit dhe kushtet e barabarta të garës, siç bëhet në zgjedhjet e përgjithshme, që 6 muaj para publikohet lista e votuesve. E njëjta gjë duhet të jetë në PD”, u shpreh Salianji.
Salianji thotë se udhëzimi që përcakton se nuk është anëtar i PD-së ai që ka vepruar kundër vijës politike të partisë, nuk ka asnjë lidhje me të. Duke i dalë kundër deklaratave të Berishës dhe Flamur Nokës se është i vetëpërjashtuar.
“Udhëzimi ishte i qartë, ku nuk mendon si linja e partisë përjashtohet. Nuk ka asnjë lidhje ai udhëzim me mua, aty përcaktohej që kush është lundër linjës së partisë, apo kush ka votuar për parti të tjera, unë kam votuar për PD, kam punuar për PD, janë në kryesinë e PD. Si mund të futet dikush në një garë përballë kryetarit të partisë, duke thënë që është i shkëlqyer, më i miri në botë, por duhet të futet në garë për ta sfiduar. Sfidomi bëhet duke thënë ato premtime të pambajtura”, vijon Salianji.
Salianji i thotë Sali Berishës se kundërshtarin nuk e zgjedh dot dhe se pas 35 vitesh në politikë nuk duhet të ketë frikë nga gara.
“Është njësoj si të thuash, 1 vit nga sot do të ketë zgjedhje lokale, por Rama do të nxjerrë një akt nënligjor që thotë do të ndaloj PD të kandidojë. Kundërshtarin nuk e zgjedh, kundërshtari përcaktohet nga mbështetja që ka. Pse duhet të ketë frikë nga gara dikush që ka 35 vite në politikë”, theksoi Salianji.
A ka plan B, ish-deputeti në rast se kupola drejtuese e PD-së nuk do ta lejojë të futet në garë? Ai i kujton Berishës nenin 46 të statutit i cili sanksionin se kryetari dorëhiqet në rast se humb zgjedhjet parlamentare, nen i vendosur nga vetë Berisha por që nuk e ka zbatuar. Salianji shprehet se edhe statuti i PD i nënshtrohet ligjeve të këtij vendi se nuk do donte që PD të përfundonte sërish nëpër gjykata.
“Besoj te procesi politik. Kur shkohet në këtë ekstreme që ka shkuar lidershipi i PD, e vetmja mënyrë se si zgjidhet është përmes votës. Nuk do doja që PD të përfundonte në gjykata si në të kaluarën, kjo do ishte shërbim për Ramën. Statuti i PD i nënshtrohet ligjeve të këtij vendi, s’do doja ta fusja PD në një cikël tjetër që të mbetej pa kryetar, të pezullohej kryetari për shkak të nenit të statutit, dhe të mos kandidonte për shkak të nenit të statutit. Për shkak të kont që Berisha ka, të bëhet përjashtimi nga rregulli dhe të bëjmë një garë me platforma, ide për të parë edhe kush mendim dominon në PD duke bërë të qartë edhe listat e anëtarëve, s’ka pse përjashtohet asnjë anëtar për të votuar për kryetarin e PD”, thotë ish-deputeti.
Ervin Salianji shihej si figura më e fortë dhe rival potencial përballë Sali Berishës, të cilin e ka sfiduar edhe përmes foltoreve paralele me demokratët.
Por, pikërisht për shkak të këtyre takimeve të nisura dhe akuzave të forta ndaj lidershipit demokrat, Salianji u akuzua se ka shkelur vijën e kuqe duke bashkëpunuar me krimin, që solli më tej edhe vendimin e Berishës për ta quajtur të ‘vetëpërjashtuar’.
Komente









