Avokati Idajet Beqiri ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij, për masakrën e ndodhur pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec.
Komentet Beqiri i bëri gjatë fjalës së tij në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se Berisha në atë periudhë, në cilësinë e kryeministrit, kishte furnizuar me armë Hamasin dhe Iranin, në dëm të Izraelit dhe kjo sipas avokatit, ishte edhe një nga arsyet pse Sali Berisha u shpall non grata nga SHBA.
Ai vijoi më tej me akuzat duke thënë se Berisha dhe familja e tij i dogjën për së gjalli njerëzit në Gërdec, duke ndërtuar një fabrikë për çmontimin e municioneve në një zonë të banuar.
Po ashtu avokati Beqiri hodhi akuza të rënda ndaj Shkëlzen Berishës për vrasjen e Kosta Trebickës. Sipas Beqirit, Trebicka u vra me levë pas koke dhe ngjarja u inskenua si të ishte aksident.
“Gërdeci një nga krimet më të rënda shtetërore që kanë ndodhur. Masarka më e madhe kriminale që pushteti i Berishës për të grabitur popullin dhe për të bërë trafik armësh... Sepse u bë trafik armësh, Shkëlzeni dhe Lulzim Basha ishin përfshirë në trafik. I kanë dhënë goxha armë Hamasit. Edhe nëse SHBA-të e shpallën non grata Berishën, një ndër pikat kryesore me trafikun e armëve që bënë me Iranin dhe gjithë këto të tjerat kundër Izraelit.
Kjo ishte një ndër pikat dhe pastaj që e finalizuan me fabrikën e vdekjes që bënë këtu. Morën Çernobilin dhe e prunë këtu ku është Aeroporti i Rinasit, ku është kryeqyteti i Shqipërisë, ku është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Me rregull ndërkombëtar, këto fabrika ngrihen o në tunele siç ishte Poliçani që ishte i destinuar për këtë punë, mund të ngrihet një fabrikë e tillë, ose minimumni duhet të jenë 80 km larg qoftë edhe një shtëpie të vetme.
Ata të babëzitur, djali i tij organizoi këtë biznes vrastar. I dogjën të gjallë shqiptarët si kemi parë. Nuk janë 26, por 27 të vrarë, sepse edhe Kosta Trebickën e vranë me levë në kokë. E hipën në makinë dhe rrokullisën makinën. Inkurajoj SPAK që të hetojë këtë çështje. Ke mbi 300 invalidë nga shpërthimi në Gërdec sot. Ata duan drejtësi, por SPAK është i kapur keq”, tha mes të tjerash Beqiri.
Kujtojmë se pas shpërthimit të fabrikës së municioneve në 15 mars të vitit 2008 në Gërdec, 26 persona mbetën të vdekur dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Lajmi kryesor:
'Berisha vrau Sokol Olldashin'- Avokati Beqiri: Salianji i trembet garës me Saliun! PD ka Hamasin e vet, prodhon armë dhe djeg institucionet!










