Protesta e sotme e thirrur nga Sali Berisha, lidhet më shumë me nevojën e tij për të mbajtur të mobilizuar Partinë Demokratike dhe për të konsoliduar autoritetin brenda saj, sidomos para zgjedhjeve të 23 majit, sesa me krijimin e një momenti të ri politik përballë Edi Ramës. Ky ishte konkluzioni i analistit Aleksandër Çipa në emisionin “Studio Live” në Report TV ku ishte i ftuar për të analizuar protestën e opozitës dhe situatën brenda Partisë Demokratike.
“Nuk ndryshon asgjë. Kryen vetëm funksionin e aksionit politik, që i bie protesta e 9-të. Ndodh në pragun e zgjedhjes formale të kryetarit të partisë. Është e parathënë që kryetar do të jetë Berisha. Ai është investuar që regjinë e kësaj zgjedhjeje të parathënë ta ndërtojë në një mënyrë të tllë ku përfshihet dhe protesta e sotme. Unë nuk e përmend termin garë, sepse nuk ekziston asnjë premisë për ta lexuar si të tillë. Falë motit, pjesëmarrja besoj nuk do të jetë në nivelet e dëshirueshme. Duhet ta themi ashiqare që vetëm sot pjesëmarrja në protestë nuk ka shumë rëndësi. Është e njëjta regji, imazhi i patundshëm që do të ketë Beirsha për një opozitë në gjendje pune. Nëse ka episode të ngjashme me ato të protestave të mëparshme, me molotovë e fishekzjarrë, ato do të bëhen lajm dhe kjo do t’i mjaftonte Berishës për procesin dhe zgjedhjet e 23 majit” tha Çipa.
Sipas Çipës, objektivi real i Berishës mbetet “hipotekimi” i Partisë Demokratike dhe ruajtja e kontrollit politik mbi të.
“Berisha është i investuar maksimalisht që në këtë proces të zgjedhjes të garantojë hipotekimin e PD-së. Gjithçka është shumë e qartë. Kjo dëshmon që klasa politike në Shqipëri e ka të vështirë të pranojë ndryshime, një realitet të ri të udhëheqjes dhe aktivizimit politik, apo edhe zëvendësimin në breza njerëzorë. Aksioni i Berishës është i kufizuar brenda gardhit të partisë vetjake dhe mesa duket edhe koha që ka kaluar nuk ka pasur një strategji gjithëbashkuese për një koalicion që mund të tundte pushtetin e Ramës”, deklaroi ai.
Duke komentuar mundësinë e krijimit të një koalicioni të gjerë opozitar përballë mazhorancës, Aleksandër Çipa u shpreh skeptik, dhe argumentoi se pengesat janë si politike, ashtu edhe strukturore.
“Kjo do të jetë e vështirë për dy arsye. Partitë e vogla të spektrit opozitar kanë kërkesa strategjike: ndryshimin e sistemit zgjedhor, uljen e pragut të pjesëmarrjes dhe bërjen të mundshme të një qeverie që të mos përcaktohej nga vullnetet e aleatëve të tjerë”, deklaroi ai.
Sipas analistit, problemi lidhet edhe me mënyrën sesi është ndërtuar sistemi politik në Shqipëri, ku dy partitë e mëdha vijojnë të dominojnë skenën.
“Dihet që në pikëpamje strategjike, PD dhe PS po mbajnë marrëveshjen e 2008 që përcaktoi monopolin politik”, tha Çipa.
Komente








