Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në komunikimin për medit, ka akuzuar kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin se e ka kthyer institucionin në bunker të Belinda Ballukut. Në shkresën që Peleshi u ka nisur deputetëve të PD-së sqarohet se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet pa u shprehur Gjykata Kushtetuese për çështjen Balluku dhe se zv.kryeministrja ka kërkuar 3 javë kohë për tu mbrojtur.

Bardhi tha se Niko Peleshi ka mbyllur çdo sallë të Kuvendit si dhe atë të PD-së duke mos lejuar as zhvillimin e një takimi me gazetarët në zyrë. Bardhi tha se do të vijojnë me kërkesat për mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

“Një e dyta e anëtarëve të Këshillit të Mandateve kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit. Sot mbushen plot 10 ditë nga momenti kur SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit për Ballukun, e cila akuzohet për shkelje në 11 procedura prokurimi me një vlerë prej 1.1 miliardë euro. Deputetët e opozitës u paraqitën në mbledhje. Me një akt të turpshëm, Niko Peleshi jo vetëm ka mbyllur çdo sallë në Kryesi, por ka penguar deputetët që edhe në sallën e grupit të tyre të kishin mundësi të komunikonin me mediat. Nuk ka ndodhur kurrë që kjo godinë të shndërrohet në bunkerin e Belinda Ballukut.

Kryetari i Kuvendit, që kthehet në zyrtarin e dytë që, në vend t’i shërbejë interesit publik, e ka kthyer zyrën e tij në zyrë avokatie të Ballukut, duke zvarritur një kërkesë të ngutshme. Këta po tentojnë, duke i dhënë kohë Ballukut, të intimidojnë dëshmitarë dhe të prishë provat. Peleshi ka nisur një shkresë, e kemi lexuar pesë herë dhe nuk e kemi kuptuar çfarë ka shkruar. Peleshi na thotë se Balluku ka kërkuar tri javë kohë dhe ai është i vendosur t’i garantojë asaj të drejtën e mbrojtjes. Çdo kriminel që kërkon të zvarrisë drejtësinë e kërkon këtë. Por kjo nuk do të thotë që ky të jetë argument për Kuvendin.

Niko Peleshi sqaron se Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar të japë një vendim mbi një çështje që lidhet drejtpërdrejt me shqyrtimin parlamentar dhe se, për këtë arsye, nuk mund të mblidhet Këshilli. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë mbledhjen e Këshillit sipas rregullores. Hap ligjor për të shpërthyer sallën e mbledhjes apo për të marrë peng Peleshin nuk kemi dhe nuk do ta bëjmë”, tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

SPAK do arrestimin e Ballukut, demokratët kërkojnë mbledhje të Këshillit të Mandateve! Dyert e Kuvendit të mbyllura, deputetët e PS nuk paraqiten