Bazuar në axhendën që ka si pika kyçe hapjen e vendeve të reja të punës, bashkimin monetar dhe luftën kundër emigrimit ilegal, Kryeministri grek Antonis Samaras tha se Presidenca e ardhshme e Greqisë në Bashkimin Europian do të ishte një prej mundësive dhe jo një Presidencë e krizave.

Samaras foli gjatë një konference të përbashkët me Presidentin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, pas një takimi ndërmjet një delegacioni të qeverisë greke dhe komisionerët e 28 vendeve atëtare të BE-së.

Gjatë takimit ishte i pranishëm edhe zv. Kryeministri Evangelos Venizelos dhe Ministri i Financave Yannis Stournaras. Samaras u shpreh se populli grek kishte bërë sakrifica të jashtëzakonshme për të arritur deri këtu, duke shtuar edhe ndryshimet strukturore të ndërmarra në vend ishin të nevojshme, pavarësisht krizës që po kalon Greqia.

Nga ana tjetër, Barroso e quajti takimin në Bruksel si konstruktiv dhe vlerësoi vendosmërinë e treguar nga qytetarët dhe autoritetet greke gjatë kësaj kohe të vështirë. 

Barroso gjithashtu tha se 6 muajt e qeverisjes së Greqisë do të kishin një rol të rëndësishëm në rritjen e tregtisë. Sipas tij, Europa nuk do të ishte Europë sot pa Greqinë.


(v.gj/shqiptarja.com)