"Nëse qeveria ime dështon, pritet kaos, deklaroi kryeministri grek, Adonis Samaras në një intervistë për të përditshmen gjermane ''Handelsblatt''.
''Të gjithë e dinë se kjo qeveri është mundësia e fundit për Greqinë'', tha Samaras duke shtuar se do të luftojë për të fituar betejën e jetës së tij.  ''Puna e qeverisë ka arritur në kufirin e asaj që mund të presim nga populli ynë'', nënvizoi Samara
Sipas tij "Greqia ka fonde në dispozicion për të arritur deri në fund të nëntorit. Më pas kasat do të jenë bosh".

Sipas kryeministrit është e nevojshme që të zhbllokohet sa më shpejt paketa e ndihmës. "Kemi nevojë për më shumë kohë për konsolidim, por jo domosdoshmërisht për më shumë besim", u shpreh Samaras.

 Ndërkaq, përfaqësuesit e trojkës u takuan në Greqi me ministrin e financave dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë në përpjekje për të afruar qëndrimet mbi një marrëveshje për çështjen e borxhit.

Synimi i bisedimeve ka të bëjë me rënien dakord për planin e masave shtrënguese që do të mundësonin hapjen e dritës jeshile për paketën e ndihmës prej 31,5 miliard euro. Të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përpara takimit të tyre me ministrat e financave të eurozonës që do të mbahet ditën e hënë në Bruksel. Masat në të cilat përfshihen ulje drastike në sektorin publik, paga e pensione dhe rritje taksash vazhdojnë të shkaktojnë reagime të dhunshme dhe greva në gjithë Greqinë.

(sg/dm/shqiptarja.com)