Samiti i BE në Tiranë, Xhaçka: Tregon rëndësinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike që ka rajoni për BE-në! Mikpritja shqiptare do të jetë në nivelin më të lartë

Më datë 6 dhjetor në Tiranë do të mblidhen të gjithë liderët e Bashkimit Europian, ndërsa ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka komentuar samitin, duke thënë se është një vëmendje që unioni po tregon ndaj Ballkanit Perëndimor. Nga Bukureshti gjatë takimit të udhëheqësve të Konferencës së Mynihut, Xhaçka tha për mediat se ky samit riafirmon angazhimin e plotë të Bashkimin Europian për integrimin e Ballkanit Perëndimor në union.

“Fakti që Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet në Tiranë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, flet për një sërë ndryshimesh madhore në kuptimin gjeopolitik të BE-së drejt një imperativi për një vëmendje të qëndrueshme gjeostrategjike të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, alias Evropën Juglindore, veçanërisht në kontekstin e shumëfishtë të sigurisë që ka krijuar lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Unë do të thoja se pritshmëritë për samitin janë të dyfishta: së pari riafirmimi i një angazhimi të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimi i hapave pozitivë në të gjitha proceset përkatëse integruese evropiane të vendeve të rajonit, veçanërisht pas Konferencave të para Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në korrik 2022”, u shpreh ministrja.

Sipas Xhaçkës, ky samit duhet të shërbejë për një sërë bashkëpunimesh mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në shumë fusha, ku më kryesoret siguria dhe politika e jashtme, apo edhe energjia, transporti e dixhitalzimi. Në fund, ministrja theksoi se ky samit do të jetë edhe një mundësi për t’iu treguar liderëve të BE-së një ndër traditat e shqiptarëve, atë të mikpritjes. Duket se ky është një mesazh i ‘fshehtë’ për protestën e thirrur nga Berisha në 6 dhjetor.

“Së dyti, Samiti duhet të shërbejë si një mundësi ku bollëku i një morie angazhimesh midis dy rajoneve vjen në fuqi, nga siguria tek çështjet e politikës së jashtme, tek sundimi i ligjit, tregu i brendshëm dhe bashkëpunimi në sektore të veçanta si: energjia, transporti, punët e brendshme, dixhitalizimi etj.

Një angazhim më i thellë, hap pas hapi, në të gjithë këta sektorë, do të krijojë standardet e dëshirueshme që Ballkani Perëndimor të jetë në gjendje të përfitojë nga mënyra e përshpejtuar e integrimit sektorial përpara se të bëhen anëtarë të plotë të BE-së. E fundit por jo më pak e rëndësishme; do të jetë një mundësi e mirë për t'u treguar udhëheqësve të vendeve pjesëmarrëse mikpritjen shqiptare në mënyrën e duhur”, tha Xhaçka.

Më 6 dhjetor, liderët e Bashkimit Europian do të vijnë në Tiranë pasi do të mbahet samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor. Në samitin që mbahet për herë të dytë brenda vitit, mes liderëve që pritet të vijnë në kryeqytet janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri

Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri