Ambasada e SHBA ka publikuar një njoftim sigurie duke sqaruar është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm që synon Samitin Botëror të Iranit të Lirë. Samiti do të mbahet në kampin e muxhaedinëve iranianë në MEK, pranë Durrësit, Shqipëri në 23-24 korrik 2022.

Ambasada e SHBA i ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të shmangin këtë ngjarje, të monitorojnë mediat lokale, të mbajnë profil të ulët (të mos bëjnë postime në rrjete sociale) dhe të jenë të vetëdijshëm për çfarë i rrethon.

Burime nga antiterrori bënë me dije për Report Tv se janë mbi 50 persona që dyshohet se janë të rekrutuar nga Irani për të bërë akt terrorist gjatë këtij samiti që do mbahet në Manëz.

Shërbimet inteligjente të policisë shqiptare e partenerëve ndërkombëtarë kanë kapur disa mesazhe të koduara që flasin për një akt të mundshëm terrorist me pasoja ndaj muxhahedinëve dhe sigurisë kombëtare në Shqipëri. Mesazhet për sulm terrorist janë kapur 10 ditë më parë nga shërbimet partnere dhe ja kanë përcjellë Shqipërisë, pra konsiderohet real.

Policia ka shtuar patrullimet përreth kampit dhe pikat kufitare për çdo person që futet në Shqipëri.

Samiti do të mbahet në kampin Ashraf, në afërsi të Manzës, rreth 30 km larg Tiranës. Atje kanë qytetin e tyre të paktën 3 mijë muxhahedinë që ndodhen në Shqipëri. Muxhahedinët konsiderohen grup terrorist nga Republika Islamike e Iranit dhe prej dekadash ndodhen në konflikt të hapur me regjimin atje.

Dy ditë më parë, Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime dhe kontrolle për identifikimin e personave të dyshuar si të përfshirë për aktivitet spiunazhi dhe aktivitet terrorist në Shqipëri kundër MEK.

Përveç kontrollit të banesave të disa shtetasve dhe marrjes në pyetje të 11 personave të tjerë, ish-anëtarë të MEK, SPAK ushtroi kontrolle edhe në disa banesa në Laç dhe Lezhë e Fushë-Krujë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rrjet spiunazhi. Nga kontrolli në këto banesa janë sekuestruar disa sende si Laptopë apo telefona që mund t'i vlejnë hetimit.