Samiti i NATO-s dhe rajoni

Samiti i NATO-s dhe rajoni
Samiti më i madh i NATO-s në 63 vitet e ekzistencës së saj dhe i pari që u mbajt në Shtetet e Bashkuara pas një periudhe 13-vjeçare, mblodhi së bashku përfaqësues të lartë nga 60 vende dhe organizata ndërkombëtare. Mbledhja u cilësua shumë e suksesshme duke u rikujtuar të gjithëve se “NATO është qendra e vërtetë e partneritetit të sigurisë dhe nuk ka asnjë institucion tjetër të ngjashëm me të në botë”, siç u shpreh edhe Presidenti Obama në fjalën e tij të hapjes. NATO ka qenë dhe është themeli i sigurisë, lirisë dhe prosperitetit në botë dhe është simbol i shkëlqyer i bashkëpunimit, transformimit, fleksibilitetit, kredibilitetit, efektivitetit dhe unitetit midis partnerësh.
Tri temat kryesore të këtij Samiti (ashtu siç ishte diskutuar gjerësisht edhe gjatë muajve të fundit), u fokusuan te siguria në Afganistan dhe strategjia për fazën e ardhshme të tranzicionit atje; sigurimi i kapaciteteve të NATO-s në shekullin 21, në këtë periudhë sfidash e shtrëngesash ekonomike globale si dhe rritja dhe zgjerimi i partneriteteve globale të kësaj Aleance.
Ashtu siç është bërë e ditur, gjatë këtij Samiti u bë e qartë se NATO nuk do ta braktisë Afganistanin në procesin e tij të vështirë të tranzicionit, por “do të punojë për ndërtimin e një vizioni të përbashkët post-2014, në të cilin roli ushtarak do të përfundojë…, por angazhimi dhe partneriteti me Afganistanin do të vazhdojë”, u shpreh Presidenti Obama. Afganistani ishte gjithashtu një nga temat kryesore të axhendës dhe deklarimeve të Samitit të G-8-s të mbajtur në Camp David pak para Samitit të Çikagos, cili ishte mbledhur për të adresuar sfidat kryesore të ekonomisë, politikës dhe sigurisë globale.
Tema e dytë kryesore e Samitit të NATO-s ishte riformatimi i kapabiliteteve të NATO-s në këtë periudhë të vështirë të shtrëngimeve ekonomike globale dhe buxheteve të mbrojtjes gjithnjë e më të reduktuara. Inovacioni, kreativiteti dhe eficiencat do të mbeten parime kryesore të kësaj strategjie, siç është e shprehur qartë edhe në Deklaratën e Samitit për Kapacitetet: Drejt forcave të NATO-s 2020. Dy elementet kryesore të kësaj pakete ishin iniciativa “smart defense” e sekretarit të Përgjithshëm të NATOs-s, e bazuar në prioritizimin e aftësive kryesore të vendeve, bashkëpunimin në bazë të aftësive kolektive dhe specializimin e vendeve sipas aftësive dhe avantazheve kombëtare. Elementi i dytë ishte ai i iniciativës së “forcave të ndërlidhura”, i cili synon të rrisë ndër-operativitetin dhe bashkëpunimin midis vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, Aleanca do të forcojë edhe më tej bashkëpunimin me Bashkimin Europian, partner unik dhe parësor për NATO-n, pasi ndajnë vlera dhe interesa strategjike të përbashkëta.
Elementi i tretë i rëndësishëm ishte zgjerimi i numrit të partnerëve të NATO-s në botë, duke theksuar se çelësi kryesor i suksesit të NATO-s është uniteti i saj dhe partneritetet e forta. Aleanca e Atlantikut Verior do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët e saj në të gjithë botën, “duke marrë shembull nga sukseset dhe duke ofruar më shumë siguri”, theksoi sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen.
Megjithëse në këtë Samit nuk u morën vendime në lidhje me zgjerimin e Aleancës, u përcoll mesazhi se dyert e NATO-s mbeten të hapura për të gjitha demokracitë europiane që dëshirojnë dhe janë të gatshme të marrin përgjithësitë dhe obligimet e kësaj Aleance.
Lajmi i mirë për rajonin tonë është se Aleanca do të vazhdojë të jetë e angazhuar për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit, siç u theksua edhe në Deklaratën e Samitit të Çikagos, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm strategjikisht. Do përpiqem të sjell më poshtë një përmbledhje të shkurtër të konkluzioneve të Samitit në lidhje me vendet e Ballkanit.
Së pari, NATO përsëriti ftesën e bërë në Samitin e Bukureshtit në 2008 për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, e cila ka pasur një angazhim të vazhdueshëm dhe kontribute në misione ndërkombëtare; për t’iu bashkuar Aleancës sapo të gjendet një marrëveshje me Greqinë, e pranueshme nga të dyja palët, në lidhje me çështjen e emrit, duke inkurajuar fort negociatat dhe mbështetjen për një zgjidhje konsensuale sa më të shpejtë. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është i rëndësishëm për stabilitetin e vendit, për vazhdimësinë e reformave demokratike, për ndërtimin e një shoqërie të vërtetë multietnike, por edhe për sigurinë në të gjithë rajonin.
Mali i Zi, sipas Deklaratës së Samitit, ka arritur progres të dukshëm drejt anëtarësimit në NATO, sidomos në muajt e fundit. Implementimi i suksesshëm i reformave politike, ekonomike dhe ushtarake ka përshpejtuar integrimin e vendit edhe drejt Bashkimit Europian, duke marrë statusin e vendit kandidat. Një kontribuues aktiv në sigurinë ndërkombëtare, nëse vazhdon reformat me këtë shpejtësi, data e anëtarësimit në NATO për Malin e Zi duket të jetë e afërt.
Bosnja – Hercegovina është gjithashtu në rrugën e progresit në aspiratat e saj për anëtarësim të ardhshëm në NATO. Aktorët politikë vendas u inkurajuan gjatë Samitit të punojnë së bashku për reformat e nevojshme. Një sinjal pozitiv në reformat në fushën e mbrojtjes është marrëveshja e fundit për regjistrimin e pronave të paluajtshme të ushtrisë si prona shtetërore. Nëse bashkëpunimi politik, i arritur me vështirësi para disa muajsh (mbas shumë mosmarrëveshjesh) do të vazhdojë seriozisht, BiH mund të hapë së shpejti negociatat për fazën e parë të MAP-it.
Kosova ishte edhe këtë herë një nga çështjet kryesore të axhendës së NATO-s. Aleanca siguroi edhe njëherë mbështetjen e plotë për KFOR-in, i cili do të vazhdojë misionin e tij në Kosovë (ashtu siç ishte konfirmuar edhe disa muaj më parë) për të vazhduar mbështetjen e tij për krijimin e një ambienti të sigurt paqeje e bashkëjetese. Fjalë kyçe, edhe në rastin e Kosovës, ka qenë bashkëpunimi, jo vetëm midis vendeve pjesëmarrëse në ketë mision, por edhe organizatave të tjera ndërkombëtare si EULEX, apo përfaqësuesit specialë të BE-së, duke përshëndetur edhe proceset e transformimit dhe reformave në vend.
E rëndësishme në Deklaratën e Samitit ishte edhe mbështetja e NATO-s për integrimin euroatlantik të Serbisë, duke mirëpritur progresin e deritanishëm. Në të njëjtën kohë, të dyja vendeve, si Serbisë, ashtu edhe Kosovës, iu drejtuan thirrje inkurajuese dhe nxitëse për dialog dhe bashkëpunim, për arritjen e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Është ende herët për të komentuar, por është inkurajuese për procesin e bashkëpunimit, deklarata e Presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, Nikoliç, se vendi do ndjekë rrugën europiane.
Duke nxjerrë disa konkluzione nga vendimet e Samitit të Çikagos, duket se perspektiva e zgjerimeve të mëtejshme dhe fryma e bashkëpunimit për siguri do të vazhdojë të zhvillojë edhe me tej stabilitetin në Europë e më gjerë, por është e rëndësishme që vendet e rajonit të kuptojnë se partneritetet dhe bashkëpunimi duhet të fillojnë nga ato rajonale, për të qenë një bazë e fortë për integrimin në të ardhmen dhe kontributin cilësor në sigurinë globale.
Është e pranuar gjerësisht se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është në strukturat euroatlantike, por aspirimi për t’u integruar në NATO dhe Bashkimin Europian nuk është një rrugë njëkalimshe. Ne duhet të kryejmë cilësisht “detyrat e shtëpisë”, duke treguar më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie në implementimin e reformave aq të nevojshme, edhe pse të vështira. Nuk mjafton vetëm dëshira e mirë dhe fjalët e bukura për reforma, për të mos mbetur vetëm në vazhdën e “sloganeve retorike”. Reformat nuk mund të realizohen plotësisht dot pa luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (të cilat mbeten sfidat kryesore për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor), pa forcuar shtetin ligjor, drejtësinë, demokracinë, barazinë gjinore etj.
Vitet e kaluara nuk kane qenë të lehta për Ballkanin, konfliktet etnike dhe mosmarrëveshjet e tjera shpesh kanë tërhequr vëmendjen e qeverive nga implementimi i reformave institucionale, duke bërë kështu tranzicionin, por edhe proceset e integrimit, më të gjata e sfiduese. Integrimi në NATO do të kishte një rëndësi të madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, pa harruar se vlerat demokratike, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë parakushte për anëtarësim.
Është e qartë se vendet duhet të punojnë së bashku për të zgjidhur çështje të “vjetra” e mos të qenë të gatshëm për “inate” të reja, për të vazhduar dialogun dhe implementuar marrëveshjet e arritura. Kjo kërkon të lihen pas edhe konceptet nacionaliste-ekstremiste, të cilat duket se u shfaqën edhe kohët e fundit në rajon.
Mesazhi që u drejtohet vendeve të Ballkanit nga NATO dhe liderët e saj është i qartë: implementim reformash, zgjidhje e diferencave të brendshme, si edhe të atyre me fqinjët, duke kontribuar kështu konkretisht në çështjet e sigurisë.
Është e rëndësishme të përshpejtohen reformat në një klime bashkëjetese dhe bashkëpunimi për të arritur standardet dhe kërkesat objektive për anëtarësim në NATO e BE, duke shpresuar se “Samiti i 25-të i NATO-s duhet të jetë samiti i fundit jozgjerues”, siç u shpreh optimistë dje sekretarja e Shtetit, Klinton.

*Autorja është Profesore në George C. Marshall, Qendra e Studimeve Ndërkombëtare të Sigurisë, Garmisch-Partwnkirchen. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht politikën zyrtare të Marshall Center, apo Qeverisë të SHBA ose Gjermanisë.

Marre nga Panorama
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie