Ankaraja është kthyer qendra e diplomacisë euroatlantike për dy ditë. Liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës më të madhe ushtarake në botë u bënë bashkë në Samitin e radhës së Natos, ku mikpritësja e radhës është Turqia.

Në fjalën hapëse, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vuri theksin te rritja e investimeve në mbrojtje dhe zgjerimi i industrisë ushtarake, duke kërkuar që fondet të shndërrohen në kapacitete reale mbrojtëse.

“Vetëm vitin e kaluar, aleatët evropianë dhe Kanadaja shpenzuan pothuajse 20% më shumë për mbrojtjen sesa një vit më parë. Kjo përkthehet në 139 miliardë dollarë shtesë. Nëse marrim së bashku vitet 2025 dhe 2026, rritja e investimeve nga Kanadaja dhe aleatët evropianë arrin në 258 miliardë dollarë, pra më shumë se 250 miliardë dollarë”, tha Rutte.

Për Rutte, nuk mjafton vetëm rritja e buxheteve, investimet duhet të shndërrohen shpejt në kapacitete ushtarake konkrete. Kundërshtari po përgatitet fuqishëm, pranda aleanca duhet të jetë në nivelin e duhur.

“Rusia po shpenzon pothuajse gjysmën e buxhetit të saj kombëtar për makinerinë e luftës. A mund ta imagjinoni? Pothuajse 50% e gjithçkaje që shpenzon Rusia shkon për makinerinë e luftës. Industria e saj e mbrojtjes punon pa ndërprerje. Kina vazhdon të modernizojë forcat e saj të armatosura dhe të zgjerojë kapacitetet e saj bërthamore pa transparencë. Koreja e Veriut vazhdon të zgjerojë programin e saj bërthamor dhe të furnizojë Rusinë. Ndërkohë, edhe pse veprimet e fundit të Shteteve të Bashkuara kanë dobësuar ndjeshëm programet bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit, ne duhet të mbetemi vigjilentë”, tha Rutte.

Për fuksionimin e Aleancës, Rutte bëri një analogji me ekipet e futbollit, duke theksuar se as lojtari më i mirë nuk fiton një ndeshje i vetëm.

“NATO është pothuajse e njëjta gjë. Duhet një ekip i tërë për të penguar dhe mbrojtur në mënyrën më efektive. Udhëheqësit tanë politikë përcaktojnë drejtimin. Forcat tona të armatosura janë çdo ditë në fushë”, tha Rutte.

Një ndër temat qendrore të diskutimevedo të jetë edhe situata në Ukrainë dhe paketa e ndihmës prej 70 miliardë eurosh që aleatët evropianë pritet ta formalizojnë në Ankara për të siguruar mbështetje për Kievin për dy vitet e ardhshme.

Trump pritet të takohet me Zelenskyn në ditën e dytë, një takim që premton të jetë vendimtar për lëvizjet e ardhshme të bllokut perëndimor në mbështetje të Kievit, pikërisht në kohën kur tensionet ushtarake dhe diplomatike po përshkallëzohen në Evropën Lindore.

Pak ditë më parë, presidenti Trump pati një bisedë telefonike me Putinin, pas të cilës deklaroi se Rusia dëshiron shumë t’i japë fund luftës. Nga ana tjetër, Kievi kërkon urgjentisht furnizime të reja me raketa interceptuese Patriot për t'iu kundërvënë sulmeve balistike ruse.

Gjatë samitit Presidenti Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi takime dypalëshe me  krerë të ndryshëm shtetesh e qeverish, mes tyre edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Dita e parë e takimeve në kuadër të Samitit në Ankara u përmbyll me një darkë shtetërore të Presidentit turk, që priti mbi 32 liderët e Natos.

Pjesë e darkës ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda.

Samiti do të vijojë punimet edhe të mërkurën, ndërsa kreu i qeverisë do të zhvillojë një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe do të marrë pjesë në sesionin e punimeve me liderët shteteve aleate.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:53
Fotoja familjare nga darka shtetërore e presidentit Erdogan me udhëheqësit e NATO-s

Është publikuar fotoja familjare nga darka shtetërore e presidentit Rexhep Taip Erdogan me udhëheqësit e NATO-s. Samiti i NATO-s që po mbahet në Ankara ka nisur që prej ditës së sotme dhe do të vijojnë e ditën e nesërme.

Ora 14:15
Trump mbërrin në Samitin e NATO-s, Erdoğan e pret me ceremoni nderi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sapo ka mbërritur në Ankara ku u prit me ceremoni zyrtare. Turqia organizoi për të një pritje që vuri në pah marrëdhëniet e ngushta mes Trumpit dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Trump u prit me tapet të kuq, megjithëse tapeti ishte në një nuancë karakteristike blu-gurkali, për shkak të lidhjes së saj me traditën, në Bazën Ajrore Etimesgut, ku një gardë nderi turke qëndronte në gatishmëri.

Erdoğan e priti Trumpin në pistën e aeroportit, duke theksuar marrëdhënien mes dy liderëve. Trump i është referuar vazhdimisht Erdoğanit si “një mik”.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump u prit gjithashtu nga ambasadori i SHBA-v në Turqi dhe i dërguari i posaçëm presidencial për Sirinë dhe Irakun, Tom Barrack, ambasadori i SHBA-ve në NATO, Matt Whitaker, si edhe kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine.