Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në Bruksel, në një takim të rëndësishëm që pason Samitin e Hagës, ku u përcaktuan objektiva të reja mbi bazën e një vlerësimi realist të mjedisit aktual të sigurisë. Në këtë takim merr pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale nga Brukseli, Vengu thekson se, diskutimet e sotme fokusohen te përshtatja operacionale e Aleancës, përshpejtimi i proceseve të vendimmarrjes dhe një shpërndarje më e balancuar e barrës së sigurisë mes aleatëve.

Sipas tij, vendimi për dislokimin e operacionit “Arctic Sentry” përreth Groenlandës konfirmon se siguria euro-atlantike është e pandashme dhe shtrihet nga veriu strategjik deri në Mesdhe. Në këtë kuadër, ai nënvizon rëndësinë e forcimit të pozicionimit të NATO-s në krahun juglindor, si një element thelbësor për stabilitetin e gjithë rajonit.

“Shqipëria i di detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit”, u shpreh ministri Vengu në reagimin e tij.

Mbështetja për Ukrainën do të përbëjë sërish një nga shtyllat e diskutimit, së bashku me forcimin e mbrojtjes, zbatimin e angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të saj dhe vëmendje për krahun lindor të Aleancës.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?