Më pas presidentët mbajtën një konferencë të përbashkët ku nënvizuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta rajonale për të cilat ftuan në bashkëpunim edhe Serbinë e Bosnje Hercegovinën. Dy presidentët e këtyre vendeve nuk morën pjesë në këtë takim.
“Satmiti dëshmoi rëndësinë e këtij standardi të konsoliduar të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe bashkëpunimit , dhe po bëhet gjithmonë e më konkret në prezantimin e ideve dhe projekteve konkreteve të zhvillimeve të rajonit tonë.. Kemi arritur të çrrënjosim mosbesimin. Sfida jonë është të forcojmë e konsolidojmë besimin tek njëri tjetri. Jemi optimistë për të ardhmen e vendeve tona”- tha Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
IVANOV: DO TE DONIM TE ISHTE DHE SERBIA E BOSNJA
I pyetur a mendon se mund të zgjeronte formatin e tij ky format samiti, me vendet e tjera të rajonit si Serbia dhe Bosnje Hercegovina, presidenti i Maqedonisë Ivanov tha:
“Nga vendet e tjera të rajonit, ne do donim që në këtë forum të ishin dhe fqinjët tanë, sepse rajoni ka nevojë për një infrastrukurë të re. Do të donim të ishim dhe me Bosnje e Serbinë sepse duam të flasim dhe për korridore që do kalojnë dhe në vendet e tyre.
Në shekullin 20 duket se na kanë mbyllur na kanë izoluar dhe ne po përpiqemi t’i kthejmë rëndësinë. Kemi nevojë për infrastrukturë të re, gjeneratat e reja nuk kanë më durim që të vijnë në Shqipëri për shumë orë”
JAHJAGA FTON SERBINE E BOSNJEN VITIN TJETER NE KOSOVE
Nga ana e saj Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga ftoi Serbinë dhe Bosnjen të jenë pjesëmarrëse në këtë samit që vitin e ardhshëm do të zhvillohet në Kosovë.
“E ardhmja e të gjithë vendeve të Ballkanit është e ardhmja e BE dhe në këtë proces mund të kalojmë shumë më mirë duke përkrahur njëra tjetrën dhe duke ndërtuar raporte të mira fqinjëssë së mirë në respekt të ndërsjelltë. I bëj thirrje dhe në mënyrë publike dhe Serbisë dhe Bosnjes të jenë pjesë e këtij samiti. Të ndërtojmë ura bashkëpunimi, në mënyrë që të lehtësojmë jetën e njerëzve tanë”
PRO KORRIDORIT ADRIATIKO-JONIAN, TANI TE GJEJME FONDE
Të gjithë presidentët u shprehën pro përpjekjeve të perbashketa rajonale per korridorin 8-të dhe ndanë të njëjtin mendim për ndërtimin e një korridori Adriatiko- Jonian i cili do të ndihmonte integrimin rajonal dhe bërjen e tregut rajonal të rëndësishëm.
“Korridori i 8 është ai që do të lidhte Maqedoninë me autostradën dhe Shqipëria e ka autostradën me Kosovën, dhe kur kjo të lidhet me unazën e Shkupit do të jetë pjesë e korridorit të 10-të. Nëse deri tani flisnim për ide, tani i kemi projekte konkrete dhe ne do i flasim liderëve europianë për përfitimet që do të kishim me këtë austostradë. ky korridor do të përfitojë akoma më shumë nga rëndesia kur autostrada Adriatiko-Joniane do të bëhet një projekt europian dhe kur do të mundësojë që të gjitha shtetet të dalin në një korridor europian"- tha presidenti i maqedonisë Ivanov.
“Në Shqipëri kemi bërë investime në shërbim të këtij korridori. Si president përtej angazhimeve tona, të kemi një zë të fortë duke kërkuar që projekte të tilla konkrete të vihen në implementim nga qeveritë tona dhe të jemi në krah që të mbështeten financiarisht pasi ndihmojnë integrimin rajonal dhe bëjnë tregun rajonal të rëndësishëm edhe për vetë hapësirën europiane dhe të gjejmë mbështetje financiare edhe nga organizmat evropianë”- tha presidenti Nishani.
Nga ana e Presidenti i Malit të Zi,Filip Vujanoviç theksoi se "Autostrada eshte nje projekt i fuqishëm qe ia vlen të financohet”.
NISHANI: OPTIMIST SE SHQIPERIA DO MARRE STATUSIN NE DHJETOR
Nishani u shpreh optimist se në dhejtor Shqipëria do të marrë statusin.
“Jam optimist dhe kam arsye për të qenë optimist se Shqipëria e të gjithë vendet e rajonit kanë shansin për të ecur me një shpejtësi të re e më të madhe në procesin e integrimit. Unë jam i angazhuar, shpresoj e besoj dhe e konsideroj meritë të Shqipërisë e shqiptarëve dhënien e marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor”
PRESIDENTJA JAHJAGA E IVANOV PYETEN PER BLLOKIMIN E DOGANES
Presidentja e Kosovës dhe i Maqedonisë u pyetën dhe lidhur me bllokimin e doganave mes dy vendeve. Të dy u shprehën se tashmë kjo gjë ëstë zgjidhur.
“Fatmirësisht ky bllokim u tejkalua. U arrit një zgjidhje institucionale dhe urojmë që të mos ndodhin më. Nëse i respektojmë parimet e CEFTA-s atëherë të gjitha respektohen.”- tha Ivanov.
“Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës e Maqedonisë janë marrëdhënie të mira, ndërsa mos kuptimi dhe jo lufta tregtare vetëm ka tejkaluar dhe shpresojmë që të mos përsëritet më. Keni parë që raste të tilla kemi pasur dhe me shtetet e tjera, por me përkrahjen e dy qeverive është zgjidhur çështja”
(Ne foto: 4 Presidentet ne konference shtypi)
Takimet e përvitshme jozyrtare të katër Presidenteve të vendeve të rajonit janë një nismë e ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, nismë e cila filloi me udhëtimin në Vlorë më 23 - 24 qershor 2009; vazhdoi në Prizren më 26 - 27 qershor 2010; më tej në Ohër më 11 - 12 korrik 2011 dhe takimi më i fundit u mbajt në Budva, më 4 - 5 dhjetor 2012.
Redaksia Online
(Suela Gera/Shqiptarja.com)