Samiti i radhës i NATO-s i cili është parashikuar të mbahet në Tiranë, është shoqëruar me pikëpyetje dhe diskutime për organizimin e tij. Disa media publikuan artikuj duke pretenduar se samiti i ardhshëm mund të zhvillohej virtulaisht duke mbështetur hipotezat tek një intervistë e ministrit Ermal Nufi për Politico.

Por burime për Report Tv nga Ministria e Mbrojtjes teksa kanë pohuar se është dhënë një intervistë rreth 1 orë për Politico, kanë theksuar se në asnjë moment nuk ka patur një deklaratë të tillë për samit virtual të NATO-s.

Edhe vetë ministri Nufi në një deklaratë për mediat është shprehur se intervista e dhënë në Politoco është interpretuar jashtë kontekstit dhe se Shqipëria ka nisur tashmë përgatitjet për organizimin dhe mikpritjen e tij.

Ai theskon se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë nga Aleanca dhe se Shqipëria nuk ka propozuar as shtyrjen, as zhvillimin virtual të Samitit të NATO-s  Sa i përket datës se kur do të zhvillohet samiti Nufi nënvizon se do të bëhet publike sapo të përcaktohet nga Aleanca.

Deklarata e plotë:

Lidhur me artikullin e publikuar sot nga POLITICO, dëshiroj të sqaroj se deklarata ime është interpretuar jashtë kontekstit, duke krijuar një përshtypje të gabuar mbi qëndrimin e Shqipërisë për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.

Samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë nga Aleanca. Shqipëria ka nisur tashmë përgatitjet për organizimin dhe mikpritjen e tij.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarit lidhur me datën e zhvillimit të Samitit, kam sqaruar se përcaktimi i saj është kompetencë e liderëve të vendeve aleate, të cilët mund ta diskutojnë dhe vendosin atë edhe përmes një takimi virtual, pa qenë e nevojshme të mblidhen fizikisht për këtë qëllim.

Referenca ime ndaj një takimi virtual lidhej ekskluzivisht me procesin e vendimmarrjes për datën dhe në asnjë mënyrë me zhvillimin virtual të vetë Samitit.

Pasi data të përcaktohet nga Aleanca dhe të komunikohet zyrtarisht nga NATO, ajo do të bëhet publike.

Dua të jem plotësisht i qartë: Shqipëria nuk ka propozuar as shtyrjen, as zhvillimin virtual të Samitit të NATO-s. Ne jemi duke u përgatitur për ta mirëpritur atë në Tiranë, ashtu siç është vendosur nga aleatët.

Çdo interpretim tjetër i deklaratës sime nuk pasqyron atë që kam thënë dhe as qëndrimin zyrtar të Republikës së Shqipërisë.