Gjatë ditës së parë të samit të Vjenës, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka marrë pjesë në aktivitetin kushtuar rolit të shoqërisë civile. Bushati mori pjesë në punimet e sesionit të parë ku u diskutua mbi temën "Roli i BE-së në zgjidhjen e problematikave dypalëshe në Ballkanin Perëndimor që prekin të ardhmen e proceseve integruese". 

“Çështjet bilaterale në të shkuarën kanë ngadalësuar ose kanë penguar procesin e anëtarësimit duke vënë në dyshim besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e këtij procesi. Për të shmangur të gjitha paqartësitë është e domosdoshme që trajtimi i çështjeve bilaterale të bëhet në fazë të hershme, duke kombinuar mekanizmat e zgjidhjes me instrumente nxitës, duke përfshirë instrumente mbështetës për zhvillimin ekonomik", tha Bushati.

Nesër, kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Forumin e Shoqërisë civile ku do të diskutohet mbi bashkëpunimin rajonal dhe rolin e shoqërisë civile. Gjatë takimit do të promovohet, gjithashtu, marrëveshja për hapjen e zyrës së bashkëpunimit rinor rajonal, iniciative kjo, e ndërmarrë nga kryeministrat Rama dhe Vuçiç.

Ky samit, i cili zhvillohet në vijim të Samitit të Berlinit të vitit të kaluar, synon veçanërisht avancimin e agjendës së ndërlidhjes infrastrukturore, rrugore dhe energjetike, midis vendeve të rajonit dhe BE-së, thellimin e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me arsimimin, kualifikimin, punësimin dhe lëvizshmërinë e rinisë, trajtimin e problematikës në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe të sfidave me të cilat përballen bashkërisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)