BRUKSEL - Presidenti amerikan Barack Obama është takuar në samitin e Brukselit me presidentin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso dhe presidentin e Këshillit të Europës Herman Van Rompuy. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Obama tha se SHBA do të ndihmonte me gaz dhe energji BE për të kompensuar mungesat që do të vijnë nga ndërprerja e furnizimit nga ana e Rusisë. Sipas tij SHBA është e bekuar me burime të ndryshme të energjisë falë dhe teknologjisë së fundit. 

Presidenti amerikan shtoi se BE e SHBA qëndrojnë të bashkuara për të izoluar dhe sanksionuar më tej Rusinë. Sipas tij, nëse Rusia do të vazhdojë në rrugën e nisur, atëhere sanksionet do të shtohen më tej.

Ndërkohë presidenti i Këshillit të Europës Van Rompuy tha se në shek. 21 është e papranueshme që një shtet të marrë një pjesë të një shteti tjetër. Ai dënoi veprimin e Rusisë për të aneksuar Krimenë dhe tha se nuk do t’a njohë kurrë Krimenë si pjesë të Rusisë. Ai shprehu rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA për të mbështetur ekonomikisht Ukrainën, për shkak të situatës të vështirë ekonomike që po kalon vendi.

Lidhur me situatën në Ukrainë foli edhe presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso i cili tha se BE së bashku me SHBA do të mbrojnë dhe ndihmojë në normalizimin e situatës në Ukrainë. Kjo ishte dhe arsyeja se pse BE dhe Ukraina firmosën marrëveshjen e Asociimit. Ai shtoi se Rusisë i duhet më shumë BE se sa BE-së i duhet Rusia dhe se sanksionet ndaj saj do të shtohen nëse nuk ndryshon qëndrim. Rruga diplomatike ishte zgjidhja e vetme e krizës.

Presidenti i Komisionit Europian gjithashtu çmoi rëndësinë e tregtisë mes BE e SHBA duke thënë se tregtia mes dy vende thuajse ishte liberalizuar por mbeteshin ende disa barriera për t’u eliminuar.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)