Ky samit i parë i G20 në Afrikë ka përgjegjësinë të mos lejojë dobësimin e integritetit dhe besueshmërisë së G20, tha presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ditën e parë të samitit të G20-s në Johanesburg të Afrikës së Jugut. "Duhet të largohemi nga ky samit me ndjesinë se G20 është forcuar."
Ramaphosa kërkoi bashkëpunim ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve globale; si përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike, ngrohja globale, siguria energjetike dhe konfliktet e armatosura. "Multilateralizmi mund dhe do të japë rezultate", tha Ramaphosa në fjalimin hapës dhe kritikoi hendekun midis vendeve të pasura dhe të varfra si një nga pengesat më të mëdha për rritje të qëndrueshme. Kjo pabarazi është "e padrejtë dhe e papranueshme", tha ai.
Si mikpritëse e samitit të G20, Afrika e Jugut ka përcaktoi si prioritete tematike të samitit "solidaritetin, barazinë dhe qëndrueshmërinë".
Samiti i G20-ës ra dakord për një deklaratë të përbashkët që në ditën e parë - kundër rezistencës së SHBA-së. Ekonomitë më të rëndësishme të industrializuara dhe në zhvillim - me përjashtim të SHBA-së dhe Argjentinës - u zotuan, ndër të tjera, për zgjerimin e energjive të rinovueshme dhe për financim më të drejtë të kostove të ndryshimeve klimatike.
G20 është forumi që ka bashkuar vendet kryesore të industrializuara në botë dhe ekonomitë në zhvillim që nga viti 1999. Është pikërisht kjo përzierje e fazave të ndryshme të zhvillimit dhe sistemeve politike që e bën G20 kaq të vlefshëm në sytë e anëtarëve të saj. Ai përfshin 19 vende, përfshirë dy organizata rajonale: BE-në dhe Bashkimin Afrikan. Anëtarët e saj përbëjnë më shumë se 80 përqind të prodhimit ekonomik global.
Por këtë herë, munguan tre krerët më të rëndësishëm të shteteve dhe qeverive – diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e samitit: presidentët e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping.
Trump, Xi, Putin pa interes tek G20
Presidenti kinez, Xi Jinping nuk ofroi asnjë shpjegim për refuzimin. Putin që përballet me kërcënimin e vazhdueshëm të arrestimit jashtë vendit nuk ka marrë pjesë në asnjë takim që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për përfshirjen e Putinit në sulmin ndaj Ukrainës. Kurse Donald Trump as nuk po dërgon ndonjë delegacion në Johanesburg, e paprecedentë kjo.
Presidenti i SHBA-së e justifikoi vendimin e tij duke pretenduar se fermerët e bardhë persekutohen në vendin pritës, Afrikën e Jugut, pa ndërmarrë asnjë veprim nga qeveria e Afrikës së Jugut. Gjatë një vizite të Presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ai madje foli për "gjenocid". Qeveria e Afrikës së Jugut e mohon me forcë akuzën. Qeveria gjermane gjithashtu nuk sheh prova për ta mbështetur atë.
Çfarë do të thotë mungesa e Treshes së Madhe për samitin G20? "Kjo tregon se tre bosët e politikës botërore me sa duket nuk i kushtojnë më shumë rëndësi kësaj ngjarjeje për arsye shumë të ndryshme", shkruan politologu Johannes Varëick për DË. Ai është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Halle-s. "Kjo nuk është një shenjë e mirë për llojin e multilateralizmit që është kultivuar prej kohësh në Grupin e 20-shës."
Rend i ri botëror
Për Kancelarin Friedrich Merz, kjo nuk është arsye për të qëndruar në Berlin përkundrazi. Para samitit në Afrikën e Jugut për samitin e G20 u shpreh në X, se "së bashku, ne mbështesim partneritete të forta, diplomaci krizash dhe një rend të bazuar në ligj dhe besueshmëri." Të mos përqendrohemi gjithmonë tek ata që nuk janë aty, por edhe tek ata që janë", tha edhe zëdhënësi i qeverisë, Sebastian Hille, duke shtuar: "G20 është dhe mbetet një forum i rëndësishëm për qeverinë gjermane".
Qeveria gjermane ka bërë fjalë për një mjedis të vështirë ndërkombëtar për G20-ën, duke thënë se rendi multilateral që ajo mbështet po vihet në pikëpyetje, veçanërisht në mënyrë drastike nga sulmi rus ndaj Ukrainës. Megjithatë, edhe brenda G20-ës, ka shtete që nuk e kanë dënuar sulmin dhe jo vetëm që refuzojnë të marrin pjesë në sanksionet kundër Rusisë, por, ashtu si India, madje përfitojnë prej tyre si ndërmjetës për naftën ruse.
Riorientimi i G20-s qysh nga themelimi lidhet edhe me fuqizimin e madh ekonomik dhe ushtarak të Kinës. Kina po shfrytëzon pa mëshirë ndikimin e saj në rritje, qoftë përmes mbështetjes së Rusisë në luftën kundër Ukrainës apo përmes kufizimeve të eksportit të metaleve të rralla./DW
Komente











