Samiti në Spanjë, Rama flet për tensionet në veri të Kosovës: Duhen marrë masa para se të jetë vonë, s'ndryshojmë qëndrim për Serbinë

SPANJË- Nga Granada e Spanjës ku merr pjesë në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), kryeministri Edi Rama deklaroi sot, 6 tetor 2023, se Shqipëria është në funksion të Kosovës dhe të njohjes përfundimtare të saj me zërin e vetë.

Në një intervistë televizive nga Granada e Spanjës ku po merr pjesë në punimet e samitit të tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), kryeministri Rama iu përgjigj interesimit të gazetares nëse ka folur me liderët europianë për masa reciprociteti dhe sanksione ndaj  Serbisë.

“Jo! Nuk kemi pasur një diskutim specifik për këtë, do të vazhdojmë se kemi edhe darkën e punës. Unë vazhdoj të bëj timen, i qëndroj një për një të gjitha bindjeve të mia, se nuk janë bindje të krijuara spontanisht, nuk janë bindje që burojnë nga emocione apo erëra që fryjnë nga një drejtim apo një tjetër dhe nga zjarre që ndizet apo fiken, por janë bindje që burojnë nga një vizion strategjik i rolit të Shqipërisë në rajon dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se në funksion të marrëdhënieve me Kosovën, Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë atë që duhet të bëjë.

Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet në bazë të analizës, që me të drejtën e tyre, bëjnë në Prishtinë. Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe të njohjes përfundimtare të Kosovës me zërin e vetë. Nga ana tjetër kam parë po ashtu se si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza të kinse patriotizmit, që siç thotë ajo fjala ‘është streha e fundit e maskarenjve'”, tha Rama.

Rama përsëriti po ashtu kërkesën që BE dhe SHBA të jenë më jenë proaktive dhe konstruktive në dialog ndërsa vlerësoi pozitivisht rritjen e pranisë së KFOR në veri të Kosovës. 

‘Jemi në një pikë që rreziku potencial rritet nga viti në vit. Aktiviteti kriminal në atë pjesë, ku jeton kryesisht minoriteti serb, janë tashmë të përputhur me axhendën politike dhe nacionalizmin. Luftë është fjalë e madhe por para se të jetë tepër vonë, masa duhen  marrë. Ne po e ndjekim situatën ngushtë dhe e rëndësishmë është që ka një vullnet të mirë. Është gjë e mirë që NATO ka shtuar prezencën KFOR-in në Veri sepse kufiri atje është bërë shumë poroz dhe transparent dhe çdo lloj arme kalon, dhe aktiviteti e trafiku ndodh.’- tha Rama.

Ndërkohë në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Edi Rama u shpreh për mediat e pranishme se ishte i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe se BE duhej të ndëshkonte Serbinë për sulmin në veri.

Ndërkohë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha më herët gjatë ditës se nuk ishte e gatshme për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç pa u sanksionuar fillimisht Serbia për sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës.

Çfarë është Komuniteti Politik Evropian?

Në punimet e Samitit të tretë, të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili po zhvillohet në qytetin e Granadës janë të pranishëm kryetarë shtetesh dhe qeverish nga rreth 50 vende europiane.

Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët, të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian. Deri më tani, Komuniteti Politik Evropian ka zhvilluar dy takime. Në takimin e parë në tetor 2022, liderët europianë diskutuan kryesisht çështjet e paqes dhe sigurisë, veçanërisht luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike. Në takimin vijues në qershor 2023, ata diskutuan përpjekjet e përbashkëta për paqen dhe sigurinë, qëndrueshmërinë e energjisë dhe lidhjen dhe lëvizshmërinë në Evropë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:22
Samiti në Spanjë/ Charles Michel: Situata mes Kosovës e Serbisë është problem për rajonin dhe Evropën

1696526475_ich.jpg

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se platforma e Komunitetit Politik Evropian duhet të ketë rol të rëndësishëm në uljen e konflikteve për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre, veçanërisht midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Michel konfliktet si ai mes Kosovës e Serbisë janë problem për rajonin dhe më gjerë. Michel në Grenada ku po mbahet samiti i Komunitetit Politik Evropian theksoi se konfliktet nuk janë problem vetëm për ata që janë drejtpërdrejt të përfshirë në to, por edhe për rajonin dhe më gjerë. Ai tha se është përgjegjësi e BE-së për të garantuar paqe, siguri dhe mirëqenie.

Në këtë samit, ka marr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç para se të vendosen sanksione, pas agresionit të Serbisë në veri të Kosovës. Pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian, Osmani theksoi se mbështetja e një agresori, për të cilin ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin.

Ora 18:50
Rama nga Spanja: Patëm diskutime të ndryshme e të frytshme! S’ndryshoj qëndrim për Serbinë, bëmë maksimumin për Kosovën, s’bëjmë dot ison e gjithçkaje

 

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për mediat nga Spanja ku ndodhet në saj të një samiti me liderët e tjerë global. Kreu i qeverisë foli për çështjet që u diskutuan në tryezat e rrumbullakta me liderët e vendeve të tjera.

“Këtu formati është me tryeza të ndryshme. Pasi kemi bashkëdrejtuar me kryeministrin e Suedisë për inteligjencën artificiale kemi pasur edhe të tjera, me atë të ltalisë dhe Presidntin Macron për çështjen e lobimit dhe emigracionin e paligjshëm. Kemi folur për eksperiencat tona të mëparshme, për vitet 2000, eksperienca të mira me Italinë në dy qeveritë dhe eksperienca të zkaonshme në Francë etj. Dhe në këtë aspekt vazhdon funksionon ky komunitet, ku krijohen tryeza e grupe të ndryshme për të çuar përpara pjesë të axhendës së përbashkët Evropiane.”- tha Rama.

I pyetur nëse Kosova ishte kryefjalë e diskutimeve, Rama tha se ende nuk ka një diskutim konkret për atë çka ndodhi në Banjskë, megjithatë kreu i qeverisë u shpreh se maksimumi është bërë do të bëhet për Kosovën.

‘Jo nuk kemi pasur diskutim specifik për të, natyrisht unë vazhdoj bëj timen. Vazhdoj i qëndroj bindjeve të mia sepse s’janë spontane por janë bindje që burojnë nga një vizion strategjik i roli të Shqipërisë në Rajon dhe në marrëdhëniet e Kosovës. Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë për Kosovën. Por Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet dhe analizave që bëhen në Prishtinë, është për të qenë në funksion të Kosovës dhe të njohjes së pavarësisë së Kosovës.’- tha Rama.

Ora 18:30
VIDEO/ Rama takim me përfaqësues të lartë të BE në Spanjë

 

Kryeministri Edi Rama në Granada, Spanjë, aty ku zhvillohet takimi i tretë i Komunitetit Politik Europia  ka zhvilluar një takim me Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian, Kryeministrin e Mbretërisë së Madhe Rishi Sunak, Kryeministrin e Hollandës Mark Rutte dhe Presidentin e Francës Emanuel Macron.

 

Ora 17:34
Rama ndan foton nga Spanja: 3 fotografë dhe 1 piktor në pritje të Samitit!

1696520080_8000df56d1310f7cc479d896fee75d66a750.png

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Spanjë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian.

Në pritje të nisjes së Samitit, Rama ka zgjedhur të ndajë në rrjetet sociale një fotografi të veçantë.

Ashtu siç e kemi parë të ulet në stolat e parqeve apo bordurat në Nju Jork, këtë herë Rama është ulur krah tre fotografëve të Samitit.

“3 fotografë dhe 1 piktor në pritje të rifillimit të Samitit të Komunitetit Politik Europian”, shkruan Rama në Instagram.

Ora 17:19
Bisedon me Scholz e Macron dhe përqafon Vjosa Osmanin, Rama në samitin e Komitetit Politik Evropian

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Granada të Spanjës, ku po merr pjesë në samitin e Komitetit Politik Evropian. Kreu i qeverisë ka publikuar edhe disa pamje nga samiti, teksa shihet duke takuar disa nga liderët e BE-së.

Rama diskuton në një moment me kancelarin gjerman Olaf Scholz, si dhe ka një shtrëngim duarsh edhe me presidenti Emmanuel Macron. Një takim e ka edhe me shefi i Diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell.

Kryeministri Rama pati një takim të përzemërt edhe me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin.

Ora 15:15
Rama në Spanjë: Të gjithë jemi shumë të shqetësuar për Kosovën! Situata është shumë e rrezikshme

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Spanjë, ku po merr pjesë në punimet e Samitit të tretë, të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili po zhvillohet në qytetin e Granadës e ku janë të pranishëm gjithashtu, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga rreth 50 vende europiane.

Në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Edi Rama u shpreh për mediat e pranishme:

Kryeministri Rama: Kjo është  një platformë për të zhvilluar gjithashtu edhe diskutime për çështjet konkrete, por nuk është një platformë nga e cila mund të prisni që në fund të ditës të ketë një çështje konkrete, e cila merr zgjidhje apo një krizë, e cila merr zgjidhje. Është platformë e një ndërveprimi shumë të rëndësishëm.

-Jeni të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës?

Kryeministri Rama: Jam shumë i shqetësuar. Jam shumë i shqetësuar dhe të gjithë jemi shumë të shqetësuar pasi është një situatë shumë, shumë e rrezikshme dhe ka ardhur tanimë në një pikë, ku vit pas viti rreziku potencial është rritur.

Aktivitetet kriminale në atë pjesë ku jeton kryesisht pakica serbe, përputhen tërësisht me një agjendë politike dhe me shumë nacionalizëm, kështu që është shumë, shumë e rrezikshme.

-BE ka marrë masa kundër Kosovës, por a mendoni që është koha që BE të marrë masa edhe kundër Serbisë?

Kryeministri Rama: Jo vetëm e mendoj, por për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit Shqipëria nuk është linjëzuar me deklaratën e politikës së jashtme të BE, saktësisht për shkak të kësaj.

Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në dakordësi të plotë me BE dhe SHBA në raport me nevojën që autoritetet kosovare të ecin përpara dhe të jenë proaktive dhe konstruktive në dialog dhe nga këndvështrimi ynë të përfitojnë maksimalisht nga plani franko-gjerman që është absolutisht një hap mjaft i rëndësishëm përpara dhe një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë vetëm fakti që Republika e Serbisë e shpalli ditë zie kombëtare për të mbajtur zi për pjesëtarët e atij grupi kriminal paraushtarak që vrau policin, ishte e mjaftueshme për Bashkimin Europian që të çohej dhe të thoshte kjo nuk është europiane. Kjo nuk është e pranueshme. Kjo nuk është drejtësi dhe është e ndëshkueshme.

-Keni frikë se mos ketë luftë?

Kryeministri Rama: Lufta është një fjalë e madhe, por përpara se të jetë shumë vonë duhen marrë masa dhe ne po e ndjekim mjaft nga afër. Është shumë e rëndësishme që ka vullnet shumë të fortë dhe ka lëvizje brenda NATO-s për të përforcuar misionin e KFOR-it në veri sepse kufiri aty është bërë tërësisht poroz, transparent dhe të gjitha llojet e armatimeve, të gjitha llojet e trafiqeve të tjera kriminale po ndodhin. Në të njëjtën kohë, shpresojmë fort që do të rinisë dialogu.

-Tema e nesërme do të jetë edhe sugjerimi i disa vendeve anëtare për të pasur një anëtarësim të klasit të dytë.

Kryeministri Rama: Nuk ka një anëtarësim të klasit të dytë, por siç jemi në këtë situatë, po ka një Europë të klasit të parë dhe një Europë të klasit të dytë midis europianëve që kanë B-në bashkëlidhur dhe europianëve që kanë vetëm E-në, por nuk kanë B-në. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi realistë dhe nuk duhet të shohim gishtin, ndërkohë që tregojmë ku është hëna dhe besojmë që kjo Europë e 27-s e cila ka shumë probleme për të pasur një vendimarje kompakte, për të pasur një të menduar e planifikim strategjik, është në gjendje të zgjerohet me 33, apo 35 apo 37 së shpejti.

Në vend të gjithçka apo asgjë për ne që nuk jemi anëtarë të BE-së duhet gjetur një qasje e re. Duhen gjetur alternativa të reja që duhen marrë në konsideratë dhe sigurisht kjo ndarje brenda duhet të bëhet më shumë ndëraktive. Për shembull, fryma e komunitetit politik europian duhet dhe mund të transpozohet brenda perimetrit të Bashkimit Europian pa dhënë domosdoshmërish anëtarësimin e plotë sepse kjo nuk do të ndodhë.

Ora 12:33
VIDEO/ Rama mbërrin në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Spanjë, i shoqëruar nga kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Granada të Spanjës ku po mbahet samiti i Komunitetit Politik Evropian.  Kreu i qeverisë ka qenë i shoqëruar nga kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak.

M.T/S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë