Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha në samitin për Planin e Rritjes në Tiranë se BE-ja do t’u hapë ekonomive të Ballkanit Perëndimor më shumë sektorë të tregut unik dhe do t’u mundësojë vendeve të rajonit të marrin pjesë më herët në institucionet europiane në fushat ku po përparojnë më shpejt. Kos theksoi se integrimi gradual nuk e zëvendëson anëtarësimin.
"Do të ketë më shumë Europë përpara anëtarësimit, por integrimi gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit. Ne do të hapim më shumë sektorë të tregut unik të BE-së për ekonomitë tuaja, përfshirë transportin. Do t’ju mundësojmë të merrni pjesë më herët në institucionet e BE-së në ato fusha ku po ecni më shpejt përpara. Dje ishim në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor. Pashë interes nga investitorët europianë për mundësitë që ofron rajoni dhe për mënyrat se si këto mundësi mund të zgjerojnë qasjen në tregun unik. Sa më shumë që një vend kandidat i afrohet BE-së, aq më i madh është interesi i investitorëve të huaj. Le ta shfrytëzojmë këtë vit të fundit të Planit të Rritjes për ta përshpejtuar procesin dhe për të zgjeruar mundësitë ekonomike të rajonit", tha Kos.
Lajmi kryesor:
Nis samiti i Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes në Tiranë! Rama: Ky është një moment vendimtar për Ballkanin







