Edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka dalë kundër rregullores së re për emigracionin të miratuar pak ditë më parë nga Parlamenti Europian. Në përfundim të samitit në Bruksel me liderët e tjerë europianë, Macron deklaroi se kjo qasje “nuk përfaqëson Europën”.

Qëndrimi i presidentit francez i shtohet kundërshtimit të shprehur më herët nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. Të dy liderët mbajnë një linjë krejt të ndryshme nga ajo e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila e kishte cilësuar votimin në Strasburg si një sukses të Italisë dhe një kthesë në politikat europiane për emigracionin.

“Franca nuk e mbështet politikën e qendrave të riatdhesimit në vende të treta”, tha Macron.

Presidenti francez vuri në dyshim efektivitetin e këtij modeli, duke deklaruar se nuk ka parë asnjë rast ku qendra të tilla të kenë funksionuar realisht. Deklarata e tij shihet si një referencë ndaj qendrave të ngritura nga Italia në Shqipëri, të cilat përbëjnë aktualisht të vetmin model të këtij lloji në zbatim.

Macron ngriti gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si do të funksiononte ky sistem në praktikë.

“Kjo do të thotë që persona që nuk duan të kthehen në vendin e tyre të origjinës, ose që nuk mund të kthehen atje, do të dërgohen në një vend të tretë ku do të pranohen, ndoshta edhe kundrejt pagesës. Çfarë lloj vendi është ai? Çfarë lloj marrëdhënieje po krijohet? Çfarë të drejtash të njeriut po garantohen? Nuk jam i sigurt se kjo përfaqëson Europën dhe nuk besoj se është një politikë efektive”, deklaroi presidenti francez.

Macron bëri të qartë se Franca nuk do të hapë qendra për emigrantët në vende të treta, duke iu bashkuar qëndrimit të shprehur më herët nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

“Europa duhet ta përballojë sfidën e emigracionit së bashku me vendet e origjinës dhe jo ta shkarkojë problemin te vendet e treta”, tha Sanchez, i cili e konsideron këtë model jo vetëm politikisht të gabuar, por edhe ekonomikisht joefektiv.

Si Sanchez ashtu edhe Macron drejtojnë forca politike që nuk e mbështetën rregulloren e re europiane. Ajo u miratua me votat e Partisë Popullore Europiane, konservatorëve dhe partive të së djathtës ekstreme, ndërsa socialistët, të gjelbrit dhe një pjesë e liberalëve votuan kundër.

Rregullorja parashikon që vendet e Bashkimit Europian të mund të hapin qendra për emigrantët në shtete të treta të konsideruara të sigurta, por jashtë territorit të BE-së. Në këto struktura mund të transferohen emigrantët që kanë marrë urdhër dëbimi ose atyre që u është refuzuar kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare.

Sipas rregullores, në këto qendra mund të dërgohen edhe persona që nuk kanë shtetësinë e vendit ku ndodhet qendra e pritjes. Krijimi i tyre mund të bëhet vetëm pas arritjes së marrëveshjeve mes shteteve përkatëse./CorrieredellaSera