SARANDE - Dimri i befasishëm i këtyre ditëve të para të dhjetorit, ka qenë me pasoja edhe për burimin e Syrit të Kaltër në Sarandë. Erërat e forta kanë bërë që një trung prej pemëve në periferinë e afërt të burimit piktoresk të shkëputet e të bjerë në qendër të këtij burimi.

Mësohet se ndërhyrja për nxjerrjen nga ujërat e ftohta e të thella të trungut të pemës së rrëzuar, ka qenë deri tani e pamundur. Shkak për vështirësitë e nxjerrjes së pemës nga Syri i Kaltër, kanë qenë jo vetëm vërshimet e ujërave për shkak të reshjeve të shumta, por edhe mungesa e infrastrukturës rrugore dhe vështirësitë e terrenit, që nuk lejojnë hyrjen e vinçit.

Në vitin 2003 Syri i Kaltër humbi kaltërsinë për shkak të shpërthimit gëlqeror të nënshtresave të veta dhe karakteristikat e tij natyrore i rifitoi pas disa muajsh. Kjo është hera e dytë që cenohet bukuria e Syrit të Kaltër dhe këtë radhë shkak është bërë rrëzimi mbi të i një peme me gjithë trungun e saj.

Syri i Kaltër është shpallur monument natyre dhjetë vite më parë. Ai regjistrohet si burim karstik i fuqishëm dhe më i madhi në shkallë vendi nga buron Bistrica. Ai veçohet për ujëra të freskëta e të kaltra, me prurje mesatare 500 mijë litra ujë në orë, si dhe për rrethimin me bimësi të dendur e me gjelbërim gjithëvjetor.

Syri i Kaltër ka hyrë prej kohësh në hartën e guidave turistike për bukuritë tërheqëse që ai paraqet. Kjo bukuri është prishur këto ditë për shkak të pemës së rrëzuar mbi burimin nga moti i keq.

(Gre.M/Shqiptarja.com)