Saranda e bukur e lënë vetëm, me litarin e problemeve në qafë

Saranda e bukur e lënë vetëm, me litarin e problemeve në qafë

Rezorti gjigand në gjirin e vogël të Manastirit dhe rruga Butrint-Sarandë

Për të dalë nga parkingu i apartamentit të marrë për disa ditë pushime në fund të korrikut në Sarandë, është sikur të fitosh një llotari. Pronarët e pallatit, të shndërruar në shumicën e apartamenteve B&B, bëjnë më të mirën e tyre, por në një rrugicë ku pallatet kanë mbirë në hapësira të paimagjinueshme dhe në kohë të ndryshme, ku parkohet pa asnjë rregull dhe nën syrin e policëve rrugorë e ku askush nuk ndërhyn, sipërmarrja e suksesit apo dështimit mbetet individuale. Saranda sot është lënë e vetme të përballë një fluks të konsiderueshëm dhe të kënqashëm turistësh. E thonë këtë dhe pronarë restorantesh që vërejnë një ndryshim në cilësinë dhe në interesin e të ardhurve, më shumë se në sasinë e tyre. Ata shprehen se për herë të parë pas pandemisë po shohin se janë rikthyer të rinj e të reja nga Europa e veriut, Suedia, Finlanda, dhe sipas tyre kjo është një shenjë e mirë.

Sarandiotët bëjnë maksimumin që të ndjehesh komod në qëndrimin disa ditor. Do ta gjesh mikpritjen e tyre nga hoteleritë, në restorante e shërbimet në plazh. Janë shtuar anijet që bëjnë shëtitje ditore nëpër gjire, lodra për të rinj e fëmijë, por qyteti vazhdon të jetojë si një gjysëm i mbytur me litarin ende në fyt. Stresi i jashtëzakonshëm shihet përgjatë rrugës bregdetare nga shëtitorja në Ksamil, ku në të djathtë pallatet vazhdojnë të mbijnë me dhunë të paimagjinueshme karshi atyre ekzistuese, ndërsa në të majtë ato më të vjetrat vazhdojnë të vjetërohen përherë e më shumë të lidhur edhe ata nga rrjeti merimangë i telefonisë dhe fibrave.

Ngjarja e trishtuar e një biznesmeni sarandiot që shpërtheu me tritolin që e kishte përgatitur për të tjera biznese konkurrentë me të, për fat të keq sikur përfaqëson atë që zien nën pamjen festive të një qyteti bregdetar e turistik. Njerëzit dhe bizneset këtu lëngojnë. Janë lënë të vetëm me një infrastrukturë që nuk është kurrë në favor të punës që ata bëjnë. Dikush i akuzon privatët duke i quajtur përgjegjës të situatës së krijuar në lagje e bulevard, por një privat, qoftë ai në Zvicër, Angli apo SHBA, do të bënte gjithashtu “namin” në mungesë të rregullave e të rojtarëve të ligjit që rregullojnë bashkëjetesën mes njerëzve si të barabartë. Mjafton se si i kanë “prerë kokën” me leje apo jo, këtë vit Kep Merlit ku me siguri po përgatiten ta mbibetonojnë dhe mbipopullojnë, apo se si nga gjiri i vogël i Manastirit ndërtesat e rezortit që në planin e treguar me foto dukej një mrekulli, kanë dalë gjigande mbi kodër e deri në rrugën kryesore Sarandë-Butrint. Në gjithë ato ndërtesa aty se si do të shkohet me makinë dhe nga ku, vetëm ata që kanë dhënë lejen apo po e zbatojnë, mund ta imagjinojnë.

Sarandiotëve për pak do iu plasë zemra nga problemet që kanë për të bërë turizëm me gjëra që nuk shkojnë, se sa për tritol, herë pas here, po dijnë të tregojnë se duan ta përdorin, por po iu plas në dorë.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • beni: 01/08/2024 18:45

    shteti vendos piketa,,vendos standarte dhe norma...por shhteti fle gjume....

    Përgjigju
  • Nik: 01/08/2024 18:35

    Saranda ka qene bukur. Farkeqsisht jo me.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion