Me një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocion, Saranda ka ndezur mbrëmjen e sotme dritat festive që shënojnë nisjen e sezonit të fundvitit në qytetin bregdetar.
Në ceremoninë e organizuar në Shëtitoren buzë detit mori pjesë kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, i cili uroi të gjithë qytetarët për festat. Së bashku me fëmijët e pranishëm, ai bëri numërimin mbrapsh për ndezjen e dritave, duke krijuar një skenë festive që u shoqërua me duartrokitje dhe gëzim.
Shefja e kabinetit në Bashkinë Sarandë, Eliana Shkurti, u shpreh se qyteti po ndërton prej disa vitesh një traditë të re për festat e fundvitit, ku përfshihet edhe tregu i Krishtlindjeve, një koncept që dikur dukej i paimagjinueshëm për Sarandën.
Sipas saj, Saranda po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion që ofron jo vetëm plazhe gjatë verës, por edhe aktivitete kulturore e festive në stinën e dimrit.
“Gjatë gjithë këtyre netëve do të ketë aktivitete muzikore dhe kulturore, për të kaluar mbrëmje të këndshme dhe për ta shndërruar Sarandën në një vend tërheqës për festat e fundvitit”, u shpreh Shkurti.
Ndriçimi i pemës së Krishtlindjes, dekorimet shumëngjyrëshe dhe tregu festiv në shesh krijuan atmosferë të veçantë, duke mbledhur familje, të rinj dhe vizitorë që po i shijojnë ditët e para të festimeve.
Saranda, e njohur për bukurinë e saj natyrore dhe mikpritjen, duket se këtë vit po i shton edhe më shumë shkëlqim fundvitit, duke u ofruar qytetarëve një hapësirë të gëzueshme dhe të mbushur me energji pozitive.
Lajmi kryesor:
Himara, Saranda dhe Belshi ndezin dritat e pemës së fundvitit, atmosferë festive në sheshet e qyteteve (VIDEO)










