Himara ndez dritat e festave dhe të pemës së Krishtlindjeve. Në një atmosferë festive të krijuar edhe nga fëmijët e shumtë në shesh, por edhe nga qytetarë të Himarës aktiviteti ka startuar me zërin e mrekullueshëm të vogëlushëve në një koncert festiv.

Kryetari i Bashkisë së Himarës Vangjel Tavo, ndërsa ka kryer edhe numerimin mbrapsht duke ndezur edhe dritat e pemës në sheshin kryesor të qytetit ka uruar të gjithë qytetarët e Himarës por edhe të gjithë shqiptarët për festa të gëzuara.

‘Krishtlindja në Himarë vjen me zërin e fëmijëve, me dritat dhe me tryezat e mbledhura rreth familjes. Dritat që po ndezim sonte janë më shumë se dekor, ato janë një përqafim për çdo familje dhe një kujtesë se drita nuk mungon kurrë edhe kur rruga bëhet e vështirë. Ju urojë nga zemra gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e ri me paqe dhe me begati në çdo familje’, tha ai.

Himara është zbukuruar me dekorin festiv duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe në një muaj, ku aktivitetet nuk do të mungojnë e do të jenë të larmishme.