Sa herë, çdo vit, në prag dhe përfundim të sezonit turistik i kthehemi dhe rikthehemi turizmit, si degë prioritare e zhvillimit të ekonomisë së vendit. Shifra, komente për “suksese e rezultate mahnitëse”,”bum” turistik etj,etj, fillojnë të komentohen e të interpretohen. Shpesh “ndeshjet” makro apo krahasimet statistikore, ia arrijnë qëllimit që të mos matim me kujdes efektet në ekonominë reale. Përcaktojmë si prioritet turizmin dhe themi shpesh sistemi dhe ecuria e tij. Por siç të gjithë e dimë nuk mund të ketë sistem pa hallka dhe nëse këto janë të shkëputura apo spontane, gjithçka që ne i referohemi si industri e turizmit nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të fshehur të vërtetën. Sepse që turizmi është një degë që duhet të shndërrohet në prioritet kjo tashmë nuk ka diskutim.

Që strategjitë e zhvillimit duhet të zëvendësojnë spontanitetin, infrastruktura turistike duhet të zëvendësojë kaosin, rregulli të zëvendësojë rrëmujën, kultura e shërbimit turistik (hoteleri, restorant, shërbime të ndryshme) duhet rritur e përmirësuar cilësisht, furnizimi me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike duhet të jenë të sigurta për 24 orë gjatë sezonit turistik (dhe jo vetëm), që shërbimi primar shëndetësor duhet të jetë prezent në çdo qendër turistike, që pastrimi i këtyre qyteteve mbështet një turizëm higjenik, etj, etj, tashmë këto dihen, duhen, po thuhen e stërthuhen, nga një sezon turistik në tjetrin, por… Nuk do të bëj këtu një analizë të plotë të këtij sektori dhe problematikës së tij, as të rezultateve, shifrave për numrin e turistëve dhe krahasimeve, nga një periudhë në tjetrën. As të ardhurat e siguruara apo jo nga ky vit turistik (kur viti turistik të përfundojë mund të bëjmë analiza të plota). Do të ndalem në disa probleme që frenojnë zhvillimin e këtij sektori prioritar, dhe më konkretisht në të ashtuquajturën "drama e ujit dhe stresi i mungesës së energjisë elektrike" gjatë sezonit turistik, këtë verë në Sarandë, (po besoj edhe në zona turistike të vendit) siç e konstatova dhe e përjetova vetë, në ato pak ditë pushimi që kalova në qytetin tim të dashur, vendlindjen time.

"DRAMA E UJIT DHE BIZNESI I AUTOBOTEVE"
Gjatë këtyre 20 viteve qyteti i Sarandës është zhvilluar, është zbukuruar, është zmadhuar, është trazuar, është ndërtuar, por dhe betonizuar, është rritur dhe rregulluar. Qytetarët e Sarandës, të dashur e mikpritës, të kulturuar dhe punëtor, mikpritës jo vetëm mes tyre por sidomos për turistët vendas dhe të huaj e shohin turizmin si biznesin më me interes dhe përpiqen ta zhvillojnë atë. Kanë shënuar një farë rezultati e progresi në këtë bisnes, por kanë mjaft shqetësime e probleme. Por një problem madhor, që shqetëson qytetin, gjithë qytetarët e Sarandës, turistët dhe pushuesit vendas e të huaj, dhe biznesin (hoteleri restorant) është dhe mbetet mungesa e furnizimit të këtij qyteti me ujë të pijshëm. Një dramë e vërtetë. Qyteti që në afërsi të tij ka burime dhe rezerva me ujë të pijshëm për të furnizuar gjithë Shqipërinë dhe jo një qytet si Saranda. Për vite të tëra flitet e stërflitet për projekte të cilat asnjëherë nuk fillojnë e mbarojnë që të kenë në finale zgjidhjen e këtij problemi. Zona të tëra të qytetit (lagje të tëra në pjesën e vjetër dhe e gjithë pjesa e re e qytetit nga Turizmi në Kanal të Çukës) nuk kanë akses me ujë të pijshëm. Njerëz me bidona në duar që vrapojnë drejt autobotëve, autobotë që nxitojnë të bëjnë sa më shumë "rrugë" drejt rezervuarëve të pallateve dhe hoteleve. Këtë sheh çdo mëngjes, drekë dhe mbrëmje. E si mund të bëhet turizëm dhe pushime pa ujë? Çfarë ka ndodhur dhe cilat janë arsyet? Padyshim që arsyet janë të shumta dhe jo të një dite.

Ato janë arsye që lidhen me investimet për ujësjellsin, janë arsye teknike dhe organizative, janë arsye të drejtimit dhe menaxhimit të ujësjellsit në Sarandë, etj etj. Më konkretisht: Së pari-Ujësjellësi aktual që furnizon qytetin e Sarandës (unë nuk jam ekspert ujrash) nga pikëpamja e kapacitetit është tërësisht i pamjaftueshëm dhe po t'i shtojmë dhe koston e përdorimit të pompave në Vrion (për ngritjen e nivelit të ujit që për muajt, nga Maji në Shtator, shtohet me rreth 2.5 milionë lekë në muaj) është edhe tërësisht jo efektiv. Së dyti-Drejtimi dhe menaxhimi i ujsjellsit të Sarandës, edhe me kaq kapacitet uji që ka, është thuajse kaotik. Së treti-Për më tepër drejtimi i ujësjellësit, prej më shumë se një vit vazhdon të jetë në "ngërç" vendimarrjeje (më lehtë merr vendime Këshilli i Sigurimit në OKB-së për problemet më të rëndësishme të globit, se sa Bordi i Ujësjellësit për furnizimin me ujë në Sarandë!?) për shkak të mos arritjes së konsensusit të organeve vendimarrëse të kësaj kompanie (bordit) rrjedhojë e mungesës së konsensusit të Këshillit Bashkiak të Qytetit për këtë çështje (a thuaj se nuk duan ujë edhe vetë ata pamvarësisht se të kujt Partie janë). Së katërti-"Gojët e këqia" në Sarandë thonë se situata dramatike e furnizimit me ujë, sidomos gjatë verës në Sarandë, është e lidhur me zhvillimin e një biznesi të ri, atij të furnizimit me autobota me ujë të ndërtesave, hoteleve ,restoranteve, kostoja e të cilave varion nga 2500 në 4000 lekë (të reja) për bot. Vetëm një hotel, me 25-30 dhoma do dy autobote në ditë me ujë, që arrin në një kosto prej gati 100 mijë lekë në muaj(1 milion lekë të vjetra) për çdo subjekt, hotel apo restorant. Bisnesi i autobotëve të ujit në Sarandë, përflitet si "biznes jo i keq" dhe pse jo fitimprurës, jo vetëm për autobotet, por dhe për ata që " fshihen" pas tyre. Pasojat: Saranda, qytetarët, pushuesit, turistët, bizneset vuajnë "Dramën e mungesës së Ujit". Zgjidhja: Për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Sarandës është i nevojshëm një investim i ri në ujësjellës (ndoshta projekti i kalasë) i cili kërkon angazhime dhe kalimin nga premtim në zbatim real nga ana e qeverisë dhe rritjen e presionit pozitiv të organeve lokale për këtë çështje. Gjithashtu për të menaxhuar më mirë situatën aktuale edhe kështu siç është, kërkohet konsensus nga Këshilli Bashkiak dhe më shumë vendimmarrje nga Bordi i Ujësjellësit dhe menaxhim efektiv (deri tani i munguar) nga drejtuesit e kësaj kompanie.

STRESI I MUNGESËS SË ENERGJISË ELEKTRIKE
Një çështje tjetër po kaq sensibile, shqetësuese dhe me ndikim jo pozitiv në zhvillimin e turizmit në qytetin e Sarandës, është dhe mbetet edhe ndërprerja deri në mungesa për orë të tëra e energjisë elektrike. Me gjithë premtimet për "24 orë furnizim pa ndërprerje" mungesa e energjisë elektrike është shndërruar në një stres tjetër për qytetarët, pushuesit dhe bizneset e këtij qyteti. Pasojat: Kjo që them nuk është propagandë politike, por shqetësim qytetar për këtë realitet. Dhe ja sepse. E kini provuar të jeni në ashensor, (turist, pushues, qytetar vendas) për më tepër i shoqëruar edhe me fëmijë të vogël dhe, papritmas (kjo ndodh shpesh thuajse çdo ditë)të ikë energjia elektrike!? Po të mos kesh telefon celular me vete, mund të përjetosh makthin e asfiksisë?! E kini provuar të shkoni në shtëpi, hotel, restorant etj,dhe t'i gjeni të gjitha paisjet elektrike të dëmtuara!? (nga ndërprerje, goditja, tensioni i lartë)?! Një stres më vete.Kjo ndodh në Sarandë,(nuk e di në Durrës, Vlorë, Lezhë, Shëngjin, Velipojë, Himarë, Dhërmi, Ksamil, etj)E keni provuar ….. çdo shqetësim që vjen nga mungesa e energjisë elektrike….?! Zgjidhja:Zonat turistike dhe veçanërisht Sarandë kanë nevojë emergjente për investime të reja në fushën e energjisë, sidomos zona Hotel Butrinti-Kanali i Çukës, duke e përfshirë këtë zonë në atë të qytetit dhe vendosjen e një linje të re furnizimi 20 kv. Pushuesit dhe turistët, qytetarët dhe biznesi janë më të qetë, më të sigurt dhe natyrisht më pozitiv për turizmin në këtë qytet, në se ky problem zgjidhet.

TURIZMI DHE PESHKIMI
Peshkimi është një nga pasuritë e Sarandës, detit, natyrisht edhe e biznesit që merret me këtë industri. Eshtë dhe kënaqësi për ata që e ushtrojnë (turist, qytetar) peshkimin si sport turistik apo për pushuesit që dëshirojnë ta shijojnë atë në pjatën e mbrëmjes buzë detit në ditët e pushimit. Unë nuk dua të flas për këto efekte dhe kënaqësi që të jep peshkimi, por për zhvillimin e kësaj industrie dhe lidhjet e ndikimin që ka në ekonomi dhe në zhvillimin e turizmit. Sot peshkimi është një degë që përjeton një krizë të rëndë. Me gjithë përpjekjet për zhvillimin e këtij sektori (krijimi i rezervateve për rritjen e peshkut) "peshkimi në det të hapur" ka disa probleme. Ato lidhen si me teknologjinë (anijet) ashtu dhe me format e organizimit dhe të zhvillimit të këtij biznesi. Por dy janë problemet më kryesore: Së pari-Nafta për vënien në lëvizje (punë për peshkim) të anijeve është elementi më i rëndësishëm i kostos në këtë sektor. Ajo zë 70-75 % të gjithë kostos në këtë industri. Asnjë lloj mbështetje financiare nuk aplikohet në këtë drejtim. Çmimi i naftës vazhdon të rritet e të rritet. Anijet e peshkimit në Sarandë, e kanë më të lehtë të shkojnë në Greqi (Korfuz, Pargë) të furnizohen me naftë se sa në Sarandë. Megjithëse Greqia në krizë të rëndë, anijet e peshkimit e marrin pak më lirë atje. Se dyti-Pamundësia e sigurimit të naftës për anijet e peshkimit e ka devijuar peshkimin me anije në drejtim "të peshkimit klandestin e kriminal", në vrasjen e peshkut me dinamit. Pasojat:Peshkimi në krizë. Kostoja e peshkut ka shkuar në stratosferë dhe qytetarët, pushuesit e turistët duhet të mendohen mirë kur t'i drejtohen menysë së prodhimeve të detit, veçanërisht peshkut. Peshkimi me "dinamit' vazhdon të dëmtojë ambjentin këtë pasuri të pafund e të shumëllojshme të detit dhe te bregdetit dhe ta largojë peshkun nga brigjet tona (peshku trembet e largohet). Zgjidhja: Subvencioni i çmimit të naftës për peshkim (me kuota të caktuara) apo gjetja e formave të mbështetjes financiare të këtij sektori është domosdoshmëri.

Gjithashtu riorganizimi i formave të zhvillimit të këtij bisnesi (grupime, kooperativa të peshkimit) sot duhet të jenë në rend të ditës. Më tej, masa më të forta për ndalimin e peshkimit me dinamit dhe forma të tjera që dëmtojnë ambientin dhe për më tepër duhet zgjidhur konflikti i interesit që Ministria e Ambientit ka brenda vehtes, duke qenë njëherësh mbrojtëse e ambientit dhe përgjegjëse për zhvillimin e peshkimit. Pra nga një anë duhet të kujdeset për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e ambientit nga ana tjetër duhet të zhvillojë industrinë e peshkimit?! Unë besoj se Ministria e Ambjentit duhet të jetë e shkëputur nga industria e peshkimit. Problemet dhe shqetësimet e trajtuara në këtë shkrim, në një formë apo në një tjetër, mund t'i ndeshni, natyrisht jo vetëm në Sarandë, por në të gjithë zonat turistike dhe atje ku zhvillohet industria e peshkimit. Ato janë shqetësim në bisedat e qytetarëve dhe banorëve të këtyre zonave, turistëve dhe pushuesve, bisneseve dhe peshkatarëve. Prandaj duhen zgjidhur.
(Gre.M/Shqiptarja.com)