SARANDE - Gjykata e Sarandës ka dënuar me 2 vjet burg 62 vjeçarin Agron Cane për akuzën e ngacmimit seksual dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, pasi ai kërkoi favore seksuale për një vend pune. Në seancën e zhvilluar ditën e sotme me dyer të mbyllura, gjykatësja Keta Bajrami ka pranuar kërkesën e Prokurorit Sali Hasa dhe ka dënuar në përfundim me 2 vjet burg Agron Canen.

Prokuroria e Sarandës, në konkluzionet e saj përfundimtare, kërkoi dënimin me 3 vjet burg për veprën penale të “Ngacmimit Seksual” dhe 1 vit burgim për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.” Në bashkim të dënimeve, Prokuroria e Sarandës kërkoi një dënim përfundimtar me 3 vjet burg.

Duke qenë se gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar, Cane përfiton uljen 1/3 e dënimit dhe përfundimisht gjykata e rrethit gjyqësor Sarandë e dënoi me 2 vjet burgim.

Ndërsa avokatët e tij mbrojtës, Idajet Beqiri dhe Gjergj Imeraj kërkuan pafajësi pasi sipas tyre provat ishin të montuara. Ndërkohë ky i fundit, nuk ka folur apo kundërshtuar vendimin e gjykatës.

Agron Cane u ndalua nga policia më 16 gusht, pas denoncimit të shtetases E.G se Cane i kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune. Denoncimi ndaj Canes është bërë publik dhe me një video të publikuar në media. 

Reagon deputetja Bregu: KLD të nisë inspektim mbi vendimet e gjykatave
Për këtë vendim ka reaguar deputetja e PD, Majlinda Bregu nëpërmjet rrjetit social FB e cila para dy vitesh propozoi ashpërsimin e Kodit Penal për sa i takon dhunës në familje dhe ndaj të miturve. Në reagimin e saj, Bregu ripërsërit kërkesën ndaj KLD-së që të nisë inspektim tematik mbi vendimet e gjykatave për rastet e dhunës me bazë gjinore.

"Te dyja veprat penale parashikojne denimin se bashku me minimumi 5 vjet e maximumi ne 9 vjet heqje lirie! Vetem 2 vjet ka vendosur gjykata!

Po perseris kerkesen qe i kam paraqitur Keshillit te Larte te Drejtesise ne 20 gusht per te nisur me urgjence inspektimin tematik mbi vendimet e gjykatave per rastet e dhunes me baze gjinore e veprave penale kunder femijeve sic eshte rasti i Agron Canes qe kerkonte seks me te mitur! Neser po e rikujtoj perseri KLD! Dhe jo vetem!", shkruan deputetja Bregu.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)