SARANDË- Këshilli Bashkiak i Sarandës ka miratuar një vendim që i hap rrugë ndërtimit të një parkimi publik në territorin që përfshin sipërfaqen e gjimnazit “Hasan Tahsini”. Vendimi ka marrë kartonët jeshilë vetëm nga këshilltarët e mazhorancës, në mbledhjen e 4 gushtit, ndërsa një pjesë e opozitarëve u larguan nga salla.

Prona në fjalë prej kohësh administrohej nga Bashkia Sarandë. Për t’i hapur rrugë projektit për ndërtimin e parkimit, Këshilli ka miratuar edhe kalimin në pronësi të Bashkisë të sipërfaqes ku parashikohet të ndërtohet projekti.

Në relacion, Bashkia e Sarandës e argumenton nevojën për ndërtimin e këtij parkimi si një investim të një rëndësie të veçantë përballë problematikës së vazhdueshme me parkimin e mjeteve. Në një vend bregdetar me fluks të lartë si Saranda, bashkia thotë se parkimi pritet të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e trafikut urban.

“Një pjesë e sipërfaqes së kësaj pasurie është planifikuar për realizimin e një projekti publik parkimi, i cili synon të krijojë një hapësirë të organizuar parkimi në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve publike. Ky investim merr një rëndësi të veçantë duke pasur parasysh problematikën e vazhdueshme të mungesës së vendeve të parkimeve. Ndërtimi i parkimit publik pritet të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e trafikut urban. Ky investim do të krijojë një infrastrukturë publike moderne në funksion të komunitetit, duke shërbyer jo vetëm për nevojat e institucionit arsimor, por edhe për banorët dhe vizitorët e zonës”, thuhet në relacion.

Vendimi është kundërshtuar menjëherë nga Partia Demokratike e cila e cilëson si skandal. Deputetja demokrate Ina Zhupa, në një postim në Facebook, shkruan se prej kohësh komuniteti, mësuesit dhe nxënësit kanë kërkuar që pjesa e pasme e oborrit të gjimnazit të shndërrohej në ambiente sportive dhe rekreative, jo në parking makinash.

Ajo i bën thirrje Bashkisë së Sarandës që të tërhiqet nga ky projekt që sipas saj cenon sigurinë për nxënësit, ndërsa thekson se parkingjet publike duhet të ndërtohen në hapësira të projektuara për këtë qëllim.

“Standardet e planifikimit të shkollave synojnë pikërisht të kundërtën: më pak makina pranë ambienteve arsimore, më shumë hapësira të gjelbra, sportive dhe të sigurta për nxënësit. Bashkitë e përgjegjshme krijojnë zona të mbrojtura rreth shkollave, kufizojnë qarkullimin e automjeteve dhe investojnë në mjedise që nxisin aktivitetin fizik dhe socializimin, jo në shtimin e trafikut.

Një parking publik pranë gjimnazit do të thotë më shumë hyrje e dalje automjetesh, më shumë rrezik për nxënësit, më shumë zhurmë, ndotje të ajrit dhe një mjedis më pak dinjitoz për një institucion arsimor. Oborri i shkollës nuk është një truall rezervë për të mbuluar mungesën e vizionit të bashkisë Sarandë.

Saranda sigurisht që ka nevojë për parkingje publike. Këtë e kemi kërkuar vazhdimisht, sepse mungesa e tyre është pasojë e mungesës së planifikimit urban. Por ato duhet të ndërtohen në hapësira të projektuara për këtë qëllim, përmes një plani serioz urbanistik. Kur mungon vizioni, sakrifikohen shkollat. Nuk ndërtohet një qytet europian duke sakrifikuar hapësirat e shkollave. Përkundrazi, qytetet europiane si pretendojmë te bëhemi investojnë që shkollat të kenë më shumë ambiente sportive, më shumë gjelbërim dhe më shumë siguri”, shkruan Zhupa.

Në relacion nuk përcaktohet se sa do të jetë sipërfaqja që do të përdoret për parkimin publik, por flitet se do të ndërtohet në pjesën e pasme të territorit të shkollës.

Në territorin e Bashkisë së Sarandës aktualisht nuk ka një parkim publik të përmasave të mëdha, qoftë edhe me pagesë, për parkimin e mjeteve. Qytetarë e vizitorë i parkojnë mjetet në poset e dedikuara në anë të rrugëve ose në parkime private.