Report Tv ka siguruar dhe foton e 613 kg kokaine, e ndarë në 528 pako dhe e fshehur në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit. Siç duket edhe nga kjo foto, 528 pakot e kokainës janë të mbështjella me letër natriban, ku ka mbishkrime "020", "777", "CA 17" dhe "KE", të cilat janë kodet e porositësve. Policia ka publikuar edhe videon e momentit të sekuestrimit të drogës.
[gallery]25687[/gallery]
Ndërkohë, është shpallur në kërkim 38-vjeçari, Arbër Çekaj, pronar i "Arbri-Garden". Report Tv ka siguruar edhe foton e pronarit të kompanisë, Arbër Çekaj i cili ka porositur kontenierin me 613 kg kokainë nga Kolumbia, krahas bananeve. Foto dyshohet të jetë bërë në një vend të Amerikës Latine, pasi në sfond duken banane, me shumë mundësi në Kolumbi nga ku porositi kokainën.
(Arbër Çekaj, pronari i kompanisë Arbri-Garden, i cili porositi 613 kg kokainë)
Sasia rekord e kokainës prej 613 kg u sekuestrua pas një përgjimi 8 ditor i agjentëve policor në terren. Agjentë civil të kamufluar kanë vezhguar kontenierin në mënyrë të fshehtë si në portin e Durrësit edhe në magazinat e “Arbri Green”. Për 8 ditë konteinieri ka qëndruar në Portin e Durrësit (erdhi në 19 shkurt) dhe gjithmonë ruhej nga agjentët civil të policisë.
Ka kaluar skanerin dhe procedurat doganore dhe sasia e kokainës nuk është zbuluar në asnjë rast. Më pas kontenierin me banane në letra, por që poshtë dyshemesë kishte 613 kg kokainë, ka shkuar për ta marrë Armando Pezaku. Ky kamion është ndjekur gjatë gjithë kohës nga agjentët e Policisë, në itinerarin Porti i Durrësit-Mamanis, ku është parkuar brenda ambienteve të Arbri-Garden. Për 1 ditë kamioni është ruajtur nga Policia në Maminas, nëse do të shkonte ndokush për ta marrë. Është vendosur për të ndërhyrë mbrëmjen e së martës.
Kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në territorin shqiptar. Ngarkesa me banane dhe kokainë ka kaluar tranzit në Itali dhe Maltë dhe më pas ka mbërritur në Shqipëri. Droga është gjetur në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit, pasi u ngarkua në kamionin e "Arbri-Garden". Kokaina nuk është zbuluar nga skaneri në Portin e Durrësit për shkak të fshehjes tepër të sofistikuar.
180 mln euro kokainë, sa e blejnë dhe e shesin trafikantët
Blerja e kokainës në Kolumbi varjon nga 7 deri 10.000 euro për kile. Trafikantët shqiptarë dhe ata të huaj fillimisht kanë shpenzuar 4 deri në 6 milion euro për blerjen e kësaj sasie.
Të dhënat e EUROPOL tregojnë se në Europë mesatarisht një kile Kokainë shitet nga 30 deri në 50.000 euro. Nëse kjo sasi kokaine do të kishte përfunduar në Europë atherë siç edhe pohoi numri një i policisë shqiptare Ardi Veliu atëherë vlera e shitjes do të kapte vlerën e 180 milionë euro.
Arbri-Garden kompania që porositi bananet nga Kolumbia
Report Tv mëson se kontenieri me banane nga Kolumbia ishte porositur për kompaninë "Arbri-Garden" sh.p.k me qendër në Manzë. Sipas ekstraktit të QKR, kjo kompani është themeluar në 3 maj 2012, ku administrator është Arbër Cekaj, 38-vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Manzë të Durrësit."Arbri-Garden" rezulton se ka një gamë të gjerë aktivitetesh, investime në fushën e medias, informacionit, reklamës, import-eksport, prodhim dhe tregtim të artikujve.
(Ekstrakti i QKR për Arbi-Garden)
"Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.
Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.
Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.
Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.
Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.
Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.
Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:
- Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;
- Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.
Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh. Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurtë.
Dy javë më parë në Portin e Durrësit u sekuestruan 11 kg heroinë
Në datën 11 shkurt në portin e Durrësit u sekuestruan 11 kg heroinë e cila u gjet në kabinën e kamionit “MAN”, me targë AA 943 OO nën krevatin e shoferit. Droga u gjet në një vend të fshehtë pas kontrollit të imtësishëm me qenin antidrogë dhe fibroskop u gjetën disa pako me lëndë të dyshuar Heroinë. Droga kishte për destinacion Italinë, nga ku do të shpërndahej më pas në tregun vendas dhe atë europian.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com