TIRANE - Gjeti vdekjen sot në spital Ilir Qefalia, kryefamiljari, i cili së bashku me bashkëshorten e tij dhe vazjën e mitur u plagosën dje nga shpërthimi bomboles së gazi në banesën e tyre në Sauk.

Gazetari Arsen Rusta informon se Iliri ndërroi jetë sot paradite në spital, ndërkohë që në gjendje të rëndë dhe në terapi intensive mbetet bashkëshortja Dorina. Vajza e tyre 5- 6 vjeçe, e cila mbeti e plagosur po në këtë shpërthim është në gjendje më të mirë shëndetësore.

SHPERTHIMI DJE PASDITE

Tre pjesëtarë të një familjeje, mes tyre një vajzë 5-6 vjeçe, u plagosën pasi  banesa e tyre u përfshi nga flakët e zjarrit si shkak i shpërthimit të një bombole gazi në orët e pasdites së djeshme ( 5 dhjetor) në lagjen Çollak afër Sanatoriumit. Zjarri ra në një banesë 4-katëshe dhe prekur katet e para të saj, ku ndodheshin edhe banorë gjatë momentin të shpërthimit.

Tre të plagosurit u dërguan nga banorët e zonës drejt Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Sipas bluzave të bardha të plagosurit kishin marrë djegie të konsiderueshme. Në situatë më të vështirë shëndetësore paraqitet Ilir Qefalia, kryefamiljari dhe bashkëshortja e tij Dorina, ndërsa vajza e tyre rreth 5-6 vjeç paraqitet në gjendje më të lehtë.

LACI:BOMBULA E GAZIT ISHTE LENE HAPUR
Në një intervistë telefonike në televizionin A1Report, Dilaver Laçi, drejtor i Përgjithshëm i zjarrfikëseve, deklaroi dje se shkak për zjarrin është bërë lënia hapur e bombulës së gazit duke mbingarkuar ajrin me gaz, dhe vetëm në momentin e hapjes së energjisë elektrike ka ndodhur shpërthimi.

“Fatkeqësisht në banesë kanë qenë burri, gruaja dhe një fëmijë i tyre. Për shkak të lënies hapur të bombulës ka pasur ajër të mbushur me gaz dhe në momentin e hapjes së energjisë elektrike është shkaktuar një zjarr i madh”, tha Dilaver Laçi.

3 zjarrfikëse arritën të neutralizonin flakët dhe të vinin situatën nën kontroll.

Redaksia Online
Lajmi u publikua fillimisht me 18:04 te 5 dhjetorit dhe u perditesua ne oren 11:08 të 6 dhjetorit.
(Gre.M/sg/ Shqiptarja.com)